Aktualitet Parandalohet vrasja në Durrës, arrestohet 37-vjeçari precedentë të theksuar penalë

Parandalohet vrasja në Durrës, arrestohet 37-vjeçari precedentë të theksuar penalë

Policia e Durrësit ka njoftuar këtë të diel se ka parandaluar kryerjen e një vrasjeje. Për këtë arsye është vënë në pranga 37-vjeçari Aldi Mustafa.

I riu, me precedentë të theksuar penalë pasi është dënuar më parë brenda dhe jashtë vendit për armë, drogë, kanosje dhe tentativa vrasjes, u kap në lagjen nr. 15 në Durrës. Autoritetet thonë se kishin informacione si ai kishte planifikuar të kryente një vrasje.

Policia i ka kërkuar Mustafës që të ndalonte makinën, por ai ka tentuar të largohet me shpejtësi. Megjithatë kjo tentativë ka rezultuar e pasuksesshme pasi është bllokuar nga shërbimet e policisë.

Gjatë kontrollit në makinë atij iu gjet arma e zjarrit “Scorpion” me silenciator dhe municion luftarak.

“Nga informacionet që kishte siguruar Policia, dyshohet se shtetasi Aldi Mustafa kishte planifikuar vrasjen e një shtetasi”, njoftoi policia.

Bashkë me të në makinë ndodhej edhe Klevis Kurdiu. 29-vjeçari, i cili ishte si pasagjer, është vënë në pranga po ashtu. Policia thotë se po vijon hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti.