Një 25-vjeçar është dhunuar dhe goditur me një automjet në qytetin e Durrësit, duke i rrezikuar seriozisht jetën. Policia sqaroi se ka arrestuar shtetasin, Halit Ullorja, 30-vjeç, ndërsa është shpallur në kërkim vëllai i tij.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 2 të qytetit mbrëmjen e shkuar. Policia tha se është arrestuar edhe Letjan Lushkaj, personi i dhunuar, pasi drejtonte mjetin në gjendje të dehur.
Njoftimi i policisë:
Pas një konflikti për motive të dobëta, tentuan të vrisnin një 25-vjeçar, duke e dhunuar goditur me automjet, arrestohet 30-vjeçari dhe punohet për kapjen e vëllait të tij që braktisi automjetin menjëherë pas konfliktit. Në pranga dhe 25-vjeçari, sepse rezultoi se drejtonte automjetin e tij në gjendje të dehur.
Mbrëmjen e djeshme, shërbimet e Policisë pas njoftimit të marrë për një konflikt ndërmjet 3 shtetasve, në lagjen nr. 2, kanë shkuar menjëherë në zonë, për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasin/it përgjegjës.
Falë ndërhyrjes në kohë shërbimet e Policisë parandaluan përshkallëzimin e konfliktit dhe arrestuan në flagrancë shtetasin H. U., 30 vjeç, si dhe shpallën në kërkim vëllanë e tij, shtetasin G. U., 26 vjeç, të dy banues në Kavajë, sepse dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, kanë tentuar të vrasin shtetasin L. L., 25 vjeç, duke e dhunuar fizikisht atë dhe duke goditur me automjet, automjetin që drejtonte ky shtetas.
Në vijim të veprimeve procedurale specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë dhe 25-vjeçarin pasi nga verifikimet rezultoi se e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur. Vijon puna për kapjen e 26-vjeçarit që braktisi automjetin, sapo goditi me të, automjetin e shtetasit L. L.. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.