Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se disa persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, transportonin emigrantë të paligjshëm, nga Devolli drejt Tiranës dhe më pas në drejtim të Kukësit, me qëllim kalimin në vendet fqinje, me destinacion final vendet e BE-së, organizuan dhe finalizuan operacionin “Pararoja”, për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i Isuf Durmishllari, 25 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”; Andrea Veisi, 22 vjeç dhe Joana Sageri, 20 vjeçe.
Këta shtetas janë kapur nga shërbimet e Policisë, në hyrje të Tiranës, duke transportuar 3 emigrantë, të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt shpërblimit monetar.
Andrea Veisi bënte transportin e emigrantëve, me një automjet “Mercedes Benz”, ndërsa Isuf Durmishllari dhe Joana Sageri qarkullonin me një mjet tjetër përpara Andrea Veisit për ta informuar atë nëse kishte shërbime policore.
Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht dhe 3 shtetasit e huaj, për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”. Po punohet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të implikuar në të.