Analistët e “Financial Times” kanë publikuar parashikimet e tyre për këtë vit të ri, nga Donald Trump, Rusia, Brexit, etj.
Në epokën e Donald Trump dhe Brexit, proteksionizmit dhe populizmit, a është bërë bota më e vështirë për t’u parashikuar? Për analistët e “Financial Times” kjo po rezulton e vërtetë.
Nga 20 pyetje në lidhje me parashikimin e botës që ata bënë një vit më parë, ata iu përgjigjën saktë vetëm 8 prej tyre, njëkohësisht edhe rezultati i tyre më i keq gjatë viteve të fundit.
Ata gabuan duke parashikuar se do të fillonin procedimet kundër Donald Trump, gabuan në zgjedhjen e kandidatit për President në Meksikë, në planifikimin e gabuar të buxhetit të Eurozonës dhe se cila përfaqësuese do ta fitonte Kupën e Botës. Ata ishin shumë më tepër optimist sa i përket rritjes së çmimit të naftës, rritjen e tregjeve në zhvillim dhe S&P 500.
Analisti i ekipit të FT-së që arriti të parashikonte saktë shumicën e pyetjeve dhe që bëri vetëm 3 gabime në 20 pyetje ishte Mohammed Shahake Miah nga Rochdale në Angli. Edhe për 2019-n, analistët e “Financial Times” kanë dhënë parashikimin e tyre për ecurinë e ekonomisë globale.
A do të ndalohet Brexit?
Po. Britania do ta shpëtojë veten nga ky vendim vetëshkatërrues. Brexit do të thotë Brexit, tha Theresa May në vitin 2016, por pasi kanë kaluar dy vite të mbushura me grindje dhe mosmarrëveshje të ashpra, edhe vetë Partia e Kryeministres nuk mund të pajtohet me atë që do të thotë Brexit në praktikë. Dështimi i Parlamentit për të rënë dakord mbi çdo version të Brexit do ta kthejë çështjen përsëri te votuesit. Në një referendum të dytë, ata do të votojnë për të rivendosur në vend reputacionin e Mbretërisë së Bashkuar, si një komb që nuk dëshiron të sakrifikojë prosperitetin dhe sigurinë ndaj obsesionit ideologjik. Ky parashikim është më shumë një shpresë sesa një pritshmëri e mundshme! Philip Stephens
A do të vazhdojë Emmanuel Macron me zbatimin e reformave pas protestave të “jelekëve të verdhëve”?
Po. Presidenti francez nuk ka zgjedhje tjetër. Nëse ai do të vendosë të heqë dorë, atëherë ai do të pushonte së ekzistuari politikisht. Një pauzë e shkurtër është lëvizja e duhur taktike për të qetësuar zemërimin e protestuesve. Reduktimi i taksës së strehimit dhe rritja e pagës minimale janë disa lëvizje të zgjuara për të qetësuar zemërimin e popullit. Por, z. Macron do të vazhdojë me reformat e pensioneve, të papunësisë dhe vendosjen e rregulloreve për bizneset. Ndërmarrja e këtyre masave do të jetë e vështirë, por është përgjigjja e duhur ndaj ankesave të protestuesve mbi çmimet e larta. Për të shmangur trazira të mëtejshme, z. Macron duhet të përpiqet që të ketë me vete mbështetjen e njerëzve. Ben Hall
A do të fitojnë populistët shumicë vendesh në zgjedhjet e Parlamentit Europian?
Po. Këto janë zgjedhje e duhurat në të cilat populistët dhe nacionalistët do të fitojnë shumicën e vendeve në Parlament. Sipas sondazheve të shumta, emigracioni është faktori kryesor në shumicën e vendeve. Zgjedhjet europiane shpeshherë përdoren si një votim protestues dhe zhvillohen nëpërmjet përfaqësimit proporcional, gjë që i vjen në ndihmë populistëve. Partitë nacionaliste, duke përfshirë Ligën e Matteo Salvinit në Itali, Alternativa për Gjermaninë dhe Demokratët e Suedisë, me shumë mundësi do të fitojnë vota të konsiderueshme gjatë zgjedhjeve. Por Parlamenti i ardhshëm Europian do të jetë shumë më i ndarë dhe në të do të ketë diskutime të ashpra ndërmjet partive të ndryshme. Gideon Rachman
A do ta fajësojnë demokratët Presidentin Donald Trump?
Po. Hetimi i Robert Mueller do të përfundojë në fillim të vitit 2019, me një stuhi të aktakuzave dhe të një raporti shumë të ashpër kundër Trump-it, për konspiracion me Rusinë për të hakeruar komunikimet e demokratëve, gjë që do të shkaktojnë pakënaqësi në bazën e demokratëve. Ai do të akuzohet vetëm nga demokratët, sepse duhen dy të tretat e votave që Senati të marrë një vendim. Për këtë arsye, ai nuk do të mund të hiqet nga detyra e Presidentit, dhe e gjithë çështja do t’i lihet zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Edward Luce
A do të vazhdojë armëpushimi tregtar mes Donald Trump dhe Xi Jinping?
Jo. Edhe pse një armëpushim në luftën e tarifave ndërmjet SHBA-së dhe BE-së po vijon që nga korriku, z. Trump dhe shumë anëtarë të tjerë në administratën e tij kanë kritika shumë më të ashpra ndaj veprimeve tregtare të Kinës. Sipas SHBA-së, për të shmangur vendosjen e më shumë tarifave për mallrat nga Kina, marrëveshja e arritur midis z. Trump dhe z. Xi në dhjetor do të thotë se Kina duhet të fillojë të shpërbëjë të gjithë modelin e saj të ndërhyrjes së shtetit në tre muajt e ardhshëm. Por kjo nuk do të ndodhë. SHBA-ja do të rifillojë rritjen e tarifave për importet nga Kina para mesit të vitit. Alan Beattie
A do të ketë një krizë të re financiare?
Jo, nëse ne do ta përcaktonim krizën financiare si një gjë në të cilën politikëbërësit duhet të shpëtojnë, ose të zgjidhin problemet, në më shumë se një institucion financiar të rëndësishëm global në të njëjtën kohë. Padyshim që do të shohim periudha trazirash në tregjet financiare dhe në një numër ekonomish kombëtare. Një arsye për të qenë optimist është se bilancet e institucioneve financiare globale janë forcuar ndjeshëm që nga kriza e vitit 2008. Arsye të tjera për të qenë pesimistë janë se normat e interesit mbeten të ulëta, niveli i borxhit dhe shumë çmime të aseteve janë të larta. Në këtë drejtim rrezikohen disa tregje në zhvillim, Kina, Britania e goditur nga Brexit, borxhi sovran italian dhe aksionet amerikane. Martin Wolf
A do të jetë çmimi i Brent në fund të vitit poshtë 60 dollarë/ fuçi?
Po. Çmimet e naftës kanë rënë ndjeshëm në tre muajt e fundit për shkak të rritjes së prodhimit në SHBA dhe paqartësisë mbi perspektivën ekonomike. Të dy këta faktorë do të vazhdojnë edhe gjatë 2019. Çmimet më të ulëta do të ndikojnë duke ngadalësuar disi industrinë e shistit argjilor amerikan, por falë përpjekjeve si shpimi i puseve të reja të naftës dhe vënia e tyre sa më parë në funksionim, për të ndikuar në rritjen e prodhimit. Organizata e OPEC-ut dhe aleatët e saj janë përpjekur që të stabilizojnë çmimet, duke rënë dakord të ulin prodhimin, por se sa do të zbatohet kjo gjë nuk është shumë e sigurt.