Politika Parashikimi optimist i eurodeputetit gjerman: Shqipëria në BE në vitin 2027

Parashikimi optimist i eurodeputetit gjerman: Shqipëria në BE në vitin 2027

Dietmar Köster, eurodeputet socialdemokrat gjerman nga partia e kancelarit Scholz ka dhënë një parashikim optimist për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE. Sipas Köster, me nisjen urgjente të negociatave në muajin Qershor do të duhen pesë ose gjashtë vite deri tek anëtarësimi i plotë.

“Nga këndvështrimi im duhet të fillojnë urgjentisht negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ne mund të bëjmë përparim të mirë atje në pesë ose gjashtë vitet në vijim për anëtarësimin e plotë të tyre në BE nëse asgjë nuk ndryshon ndjeshëm atje”.

Pas vizitës në Sarajevë, Koster vuri në dukje ndikimin rus në këtë rajon.

“Ne e dimë se Rusia po përpiqet të ndikojë në Ballkanin Perëndimor. Këtë e shohim në Bosnje-Hercegovinë, në Serbi. Rusia po përpiqet të destabilizojë këto rajone dhe e sheh këtë si një portë për destabilizimin e BE-së”.

Eurodeputeti gjerman ka vlerësuar edhe propozimin e presidentit Macron për një komunitet politik europian, të cilit krahas Ukrainës, Moldavisë e Gjeorgjisë, të shtohen shtetet ballkanike që kanë aplikuar për anëtarësim në BE.

Në Berlin propozohet që të hiqet parimi i vendimeve me unanimitet në vendimet në politikën e jashtme dhe vetoja duke i lënë vend shumicës së kualifikuar në votime të tilla.