Për paralajmërimet e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim reagoi edhe presidenti i Republikës Ilir Meta.
Ai theksoi se parashikimet për rënie të ekonomisë deri në 9 përqind janë shqetësuese dhe tregojnë krizën e thellë strukturore të ekonomisë sonë.
“Ndaj duhet të punohet seriozisht për të mbështetur aktivitetet ekonomike aktuale, por dhe të mendohet për të tejkaluar krizën strukturore duke rishikuar modelin ekonomik”.
Meta bën thirrje që modeli ekonomik duhet të mbështetet në diversifikimin e ekonomisë për të ulur riskun e krizave dhe për të siguruar një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.
“Ne duhet të punojmë për të shfrytëzuar kapacitetet potenciale të vendit tonë për të rritur prodhimin e energjisë, për të rritur vlerën e burimeve minerale dhe natyrore nëpërmjet përpunimit të tyre, për të rritur prodhimin industrial dhe për të shumëfishuar prodhimin bujqësor dhe atë agro-industrial. Zgjerimi i kapaciteteve portuale, i rrjetit të transportit, si dhe i transmetimit të energjisë është potencialisht një mundësi tjetër për të shfrytëzuar avantazhin tonë gjeografik rajonal. Ndërkohë që çdo politikë ekonomike dhe investimesh duhet të garantojë mbrojtjen e mjedisit si domosdoshmëri për fuqizimin e turizmit në mënyrë afatgjatë dhe me vizion”.