Këtë të Shtunë në programin “Rudina” në Tv Klan u fol mbi këngëtaren ikonike shqiptare Parashqevi Simaku. Teksa u diskutua shkëputja e saj me publikun shqiptar pas suksesit të viteve ’90, të ftuarit u ndalën dhe tek marrëdhënia e saj me bashkëshortin.
Gazetarja Rudina Xhunga e cila ishte dhe personi që e intervistoi Parashqevinë për herë të fundit në vendin tonë, kujton fjalët që këngëtarja i kishte thënë për të shoqin dhe mënyrën se si ishin njohur.
Rudina Xhunga: Ishin martuar prej pak kohësh, nuk ishte romancë e mirëfilltë më tha sepse ai ishte instrumentisti im. Më 14 Shkurt të 1996-ës më tha dua të dal me ty, i shpjegova që unë dal vetëm me këngën. Gradualisht ai i kishte shkruar një letër prindërve të mi, pas dy javësh i dhamë një përgjigjie. I takuam ata. U martuam, jam e lumtur tha. Por, kënga, qëllimi im është Hollywood-i dhe unë dua të perfeksionoj anglishten, veten. Unë dua Hollywood-in!
-Kanë dhe një djalë të dy bashkë?
Rudina Xhunga: Po. Ajo që më ka mbetur në mendje nga ajo intervistë ishte ambicia e saj e jashtëzakonshme. Unë isha në atë kohë një vajzë në një Tiranë në luftë dhe ambicia maksimale më dukej të bëja intervista dhe të shpëtoja gjallë. Ndërsa ajo kërkonte Hollywood-in. Herë pas here e kujtoj atë kohë dhe them a ia vlen të jesh aq ambicioze apo ndonjëherë ambicia jote edhe të ha ty?! Se ndonjëherë është më shumë se ti.
“Parashqevi Simaku u largua e zhgënjyer nga një lidhje dashurie me një politikan”
Rudina Xhunga ka ndarë dhe një tjetër detaj nga intervista me këngëtaren e shquar Parashqevi Simaku në vitin 1997.
Parashqevi e kishte thënë disa herë se arti nuk vlerësohet aq sa duhet në Shqipëri e kjo ishte një nga arsyet pse u largua e zhgënjyer, por pak kemi dëgjuar për një romancë të dështuar të sajën. Këngëtarja lirike i kishte rrëfyer Xhungës se dashuria e saj me një politikan shqiptar s’ishte e mundur.
“Ishte shumë e vërtetë Parashqevia, madje më ka bërë shumë përshtypje sepse iu riktheva. Se mbaja mend intervistën dhe pashë që ajo tregonte se iku nga Shqipëria e zhgënjyer nga një marrëdhënie dashurie. Ajo ishte dashuria për mua thotë. Dhe e pyeta me kë? Sepse unë vërtet nuk e dija, nuk më përmendi emër, por më tha është një njeri që merret me politikë. Na ndau fakti që unë isha me këngën, ai me politikën më tha. Ajo ishte dashuria ime, por tani unë dua vetëm një gjë. Asaj i kushtohem dhe ajo është kënga. Një intervistë që më ka lënë shumë mbresa dhe kur i rikthehem nuk më besohet që është bërë në ato vite…”, tregoi Xhunga.