Monika Kryemadhi deklaroi se arrestimet e fundit të SPAK për inceneratoret janë një meritë e padiskutueshme e kallëzimeve që LSI ka depozituar në SPAK me fakte, dokumenta për çdo shkelje ligjore për të cilën janë bërë në mënyrë proceduriale të njëpasnjëshme nga zyrtarë politikë të lidhur me kryeministrin.
Kryemadhi ka risjellë në vëmendje akuzën se paratë e inceneratorëve kanë ardhur nga Malta dhe janë përdorur në zgjedhjet e 25 prillit.
Kryemadhi thotë se këto para janë përdorur për të blerë vota masivisht në qarkun e Durrësit.
Ajo paralajmëron se do të publikojë së shpejti dosjen për këto akuza.
“Sot qytetarët, kur flitet për të marrë një rimbursim për çmimet e larta, nuk munden të marrin dot as 2 mijë lekë të vjetra. Përpara një viti kam denoncuar se do vinin nga Malta, paratë e inceneratorit për t’u përdorur në zgjedhjet e 25 prillit të vitit të kaluar. Shumë shpejt do njiheni me atë dosje. Ato para janë përdorur në mënyrë masive për blerje vote në qarkun e Durrësit”m tha Kryemadhi.
Kryemadhi u shpreh e bindur se çështja e inceneratorëve është grup i strukturuar i mirëfilltë kriminal, por jo vetëm kriminal por dhe politik.
“Sepse nëpërmjet parave të inceneratorëve janë kapur elementët më të rëndësishëm të jetës politike shqiptare. Në fakt ajo që unë kam thënë herë pas herë, kemi vënë në provë dhe është në provë SPAK dhe është në provë çdo ecuri e kësaj çështjeje dhe kësaj dosjeje. Në radhë të parë dua të falenderoj të gjithë specialistët dhe ekspertët të cilët bënë të mundur përpilimin e të gjithë dosjes dhe hartimin e të gjithë padisë. Dhe për ta investiguar dhe zbërthyer të gjithë këtë aferë, e cila e kam thënë dhe përsëri vazhdoj ta them që sa herë preket me dorë nxjerrim nga një korrupsion të tmerrshëm të frikshëm të qeverisë së zotit Rama. Jo vetëm komisioni hetimor, por dhe SPAK-u përveç evazionit fiskal të Klodian Zotos do të shikojnë që çështja e grupit të strukturuar kriminal, njëra nga këmbët e Meduzës është inceneratori por ka dhe disa këmbë të tjera të cilat do t’i bëjmë sot publike”.
Kryemadhi tha se së 27 prill të 2020, Klodian Zoto ITS ka marrë 9 milionë e 800 mijë euro për landfillin e Vlorës.
“Ka qenë e fshehur, e padeklaruar dhe e paprezantuar jo vetëm publikisht, por edhe në aspektet e dokumentacionit”, shtoi drejtuesja e LSI.