Në raportimin e bërë në komisionin parlamentar të sigurisë kombëtare, Drejtori i Parandalimit të Pastrimit të Parave, Arlind Gjokuta, u shpreh se në vitin 2018 janë sekuestruar 38.2 milion euro, ndërsa për shumën e konfiskuar nuk ka ende të dhëna.
“Besoj se nuk ka ndonjë vend të botës që nuk pastrohen para“, tha Arlind Gjokuta.
Para deputetëve, ai renditi edhe disa prej sektorëve të riskut.
Ndërtimi, sipas tij, mbetet më kryesori.
Arlind Gjokuta: “Sektori i ndërtimit shikohet gjithmonë si një sektor me risk të lartë për pastrimin e parave”.
Gjokuta u shpreh se lojërat e fatit shërbenin si një mundësi për pastrimin e parave dhe mbyllja e tyre ka sjellë një impakt pozitiv.
I pyetur nga deputetët mbi rolin e bankave, ai nuk përjashtoi mundësinë se ato shërbejnë si kanale të tranferimit të parave.
Arlind Gjokuta: “Çdo institucion financiar, bankat, zyrat e këmbimit, shoqëritë e transfertave mund të shërbejnë si institucione që përdoren për pastrimin e parave nga individë të tretë”.
Një tjetër mundësi për qarkullimin dhe pastrimin e parave të pista për Gjokutajn janë dhe mediat, duke përfshirë dhe portalet.