Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kryedemokrati Sali Berisha është shprehur se kryeministri Edi Rama për arsye të sigurisë kombëtare, duhej të bënte transparencë për paratë ruse të përdorura në kohën që Lulzim Basha ishte kryetar i PD-së për fushatën zgjedhore.
Gjatë fjalës së tij, Berisha ka theksuar se Rama nuk ka bërë një hetim në lidhje me këtë rast, pasi ai kishte një qëllim tjetër që të merrte peng Lulzim Bashën dhe për rrjedhojë edhe Partinë Demokratike.
“Edi Rama kishte, nëse për arsye të sigurisë kombëtare, ai duhet të bënte një transparencë për paratë e përdorura nga Lulzim Basha. Kishte rrugë ligjore kushtetuese. Rruga ligjore ishte prokuroria shqiptare dhe Departamenti i Drejtësisë në SHBA, FBI. Shqipëria ka marrëveshje ekstradimi me SHBA. Hetimi mund të bëhej i plotë. Por ai kishte një qëllim tjetër: të merrte peng, siç e mori, ish-kryetarin e PD-së, për rrjedhojë Partinë Demokratike. Vetëm një njeri që nuk ka nocionet më minimale, ose nuk respekton nocionet më elementare të demokracisë, vepron në këtë mënyrë. Një kryetar opozite, kur shkel rregullat, shkarkohet. Kur shkel ligjet, përballet me pasojat ligjore. Por peng nuk merret kurrë. Shikoni se çfarë bën Edvin Koleka. Çfarë urrejtje të papërmbajtur ka ky njeri për opozitën? Po more peng kryetarin e opozitës, ke marrë peng demokracinë. Kjo ndodhi”, tha Berisha.
Kryetari i PD-së, Berisha ka thënë se për çështjen “McGonigal” kanë heshtur deri më tani 3 persona, të cilët sipas tij janë kryeministri Rama, ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim dhe Lulzim Basha.
“Por duhet të jemi të hapur. Tre persona kanë heshtur deri më sot me kodin e heshtjes. Ky është Edi Rama. Siç e dini bëri vetëm sqarimin e vetëm se e kam pasur mik në anglisht dhe jo në shqip. Në kod, kjo ishte mos fol se nuk do të flas. Nuk foli Lulzim Basha, dhe kur foli, përsëri me kod. Nuk përmendi dot as emrin e Edi Ramës, pengmarrësit, as të McGonigal.
Shikoni se çfarë luhet në kurriz të shqiptarëve. Nuk foli as guvernatorja Kim, e cila në raport me opozitën është një McGonigal me fustan. Unë e di që ajo do e transmetojë këtë si një qëndrim antiamerikan. Absolutisht nuk ka asgjë antiamerikane në këtë qëndrim, përkundrazi ka një besim të palëkundur te ai vend, që vërtet ka McGonigal,por e arreston atë. Te ai vend që mbron liritë dhe vlerat, ka defektet dhe të metat, por të dytë nuk ka. Ajo shkelmoi Kushtetutën e vendit të saj, shkelmoi Konventën e Vjenës. Këto nuk mund të jenë kurrë orientime të Amerikës së vlerave, të Amerikës së ligjeve. Të SHBA, që udhëheqin me moralin dhe frymën e tyre. Sulmet ndaj opozitës, të McGonigal-it me fustan, krahasuar me McGonigal-in me kollare, si mekanizëm njëri u mor me manipulimin, por nuk është marrë me më pak manipulime kundër opozitës zonja Kim. Duke thirrur deputetët për t’i përpunuar dhe manipuluar. Nuk është marrë me më pak manipulime duke i dërguar Sali Berishës mesazhe kërcënuese të turpshme. Nuk është marrë me më pak manipulime duke përdorur citate të Enver Hoxhës kundër popullit opozitar”, tha Berisha.