Sali Berisha ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi pas parcelës me 125 rrënjë kanabis sativa që u zbulua së fundmi në repartin ushtarak të Zall Herrit.
“Partia Demokratike e Shqipërisë dënon me forcën më të madhe këtë skandal të turpshëm për ushtrinë, por dhe shtetin shqiptar dhe kërkon dorëheqjen e menjëhershme të ministrit kanabisit Peleshi si dhe vendosjen para ligjit të gjithë përgjegjësve të këtij akti të turpshëm dhe kriminal të shëmtuar”, shkruan Berisha.
Teksa e ka cilësuar si një skandal të turpshëm për një ushtri të NATO-s, Sali Berisha përsëriti se nën drejtimin e Ramës, Shqipëria është shndërruar në një narko-shtet, teksa forcat e armatosura tashmë iu përngjajnë atyre të talebanëve në Afganistan.
“Partia Demokratike deklaron se ky skandal i turpshëm i pashembullt në historinë e ushtrisë shqiptare, ushtri njëkohësisht e Aleancës së Atlantikut të Veriut, implikon thellë dhe me përgjegjësi të rëndë narko-ministrin Peleshi. Ky skandal dëshmon tragjikisht shndërrimin e ushtrisë e narkoshtetit të Edi Ramës që është dhe narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë në narko-ushtri sikur të ishte ushtri e talebanëve dhe jo ushtri e një vendi anëtar të NATO-s”, shprehet Berisha.
Kujtojmë se për kanabisin e zbuluar në Zall Herr u arrestuan 3 punonjës të repartit ushtarak dhe u proceduan 4 të tjerë, teksa ministri Peleshi i pezulloi ata nga detyra deri në përfundim të hetimeve.