Presidenti Ilir Meta do të flasë sot pasdite për ligjin e ri të kaluar nga mazhoranca që ia heq atij “ekskluzivitetin” e betimit për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese. Në një intervistë për “Euronews Albania”, kreu i shtetit paralajmëroi rikthimin për shqyrtim të këtij ligji, pasi sipas tij bie ndesh me Kushtetutën.
“Nuk e di se çfarë ka ndodhur në Parlament, por prej kohësh në Parlamentin tonë është lajm kur miratohet ndonjë ligj në respekt të Kushtetutës. Shkelja e Kushtetutës është kthyer në një sport të preferuar të mazhorancës. Nuk komentoj diçka që nuk e kam lexuar. Nuk habitem që të ketë ndodhur ndonjë marrëzi. Kur ligji të mbërrijë në Presidencë do të shprehem në mënyrë zyrtare. Nuk ka asnjë mekanizëm ligjor që rrëzon Kushtetutën dhe këto janë përpjekje për të dënuar me vdekje minimumin e besimit që mund t’i ketë mbetur reformës në drejtësi”, tha Meta.
Në të njëjtën intervistë, kreu i shtetit tha se përplasja me Ardian Dvoranin është pasojë e urdhrit politik të Edi Ramës dhe për këtë situatë bëri përgjegjës edhe delegacionin e Bashkimit Europian.
Duke folur sërish për Parlamentin, Meta shprehet i lumtur që nuk është zgjedhur Presidenti i Republikës nga Parlamenti aktual, të cilit i vë në pikëpyetje legjitimitetin dhe për këtë fajëson të dyja palët.
“Situata në Parlament nuk është normale dhe kjo është përgjegjësi e dy palëve. Edhe e mazhorancës që i ngushtoi opozitës hapësirat, por edhe opozitës që zgjodhi rrugën e delegjitimimit të institucioneve. Unë mendoj që ky Kuvend që bën veprime të tilla që po fton me shpejtësi të madhe delegjitimimin e të gjitha institucioneve, e vetmja punë e mirë që duhet të bëjë është të vetëshpërndahet”, u shpreh Meta.
Një standard kushtetues që përmendi Meta ishte numri. Ai thotë se sipas Kushtetutës, Parlamenti duhet të kishte 140 deputetë, ndërkohë që shton se edhe zëvendësimi i deputetëve të opozitës që dogjën mandatet është bërë kundër procedurave ligjore.
Meta paralajmëroi se do të vazhdojë rezistencën përballë mazhorancës dhe atyre që i quajti “vagabondë ndërkombëtarë”.
“Presidenca nuk është mur, por është kala për mbrojtjen e Kushtetutës, ndaj mazhorancës, opozitës, ndaj vagabondëve ndërkombëtarë që e dinë që Kushtetuta e Shqipërisë që mund të përdhoset. Deri më 24 korrik të 2022 është kala që nuk afrohet njeri për të shkelur Kushtetutën”, tha ai.