Pluralizmi politik nisi më 1991, – zgjedhjet e para u bënë më 1991, – premtimi i atëhershëm ishte se nuk do të kishim politikanë të përjetshëm dhe se modeli i Byrosë Politike do të lihej përgjithmonë pas.
Pas 27 vitesh kemi “zgjedhur” deputetët e rinj, – dhe disa detaje, janë vërtetë interesante.
Për shembull, katër deputetë të rinj kanë lindur midis 1991-1995, pikërisht kur tetë politikanë të sotëm ishin po ashtu deputetë dhe figura drejtuese.
Imagjinoni, – Berisha (PD), Ruçi e Nasufi (PPSH) janë bërë deputetë më 1991, Majko, Shehu, Ulqini e Shehi u bënë deputetë më 1992 me PS e PD, ndërkohë që ende nuk kishin lindur tre deputetët më të rinj të parlamentit të sotëm, – Kërpaçi, Mehmetaj e Lala. Vetëm disa ditë pas masakrës së prillit 1991 kur Berisha e Ruci grindeshin për përgjegjësitë e fajet, në Shkodër lindi një vajzë, e cila sot është zgjedhur deputete.
Imagjinoni deputetë që shkojnë në një sallë dhe duhet të debatojnë me individë që janë ngulur në atë sallë më gjatë sesa mosha e deputetëve të rinj, që kanë mbijetuar në politikë përmes të gjitha formave të mundshme duke na u imponuar edhe sot si modele drejtuese politike! 27 vjet, të pushtetshëm, të pasur dhe të paprekshëm! U ngritën, u rrëzuan, u ngritën, u rrëzuan, u ri-ngritën dhe gjatë këtyre fazave të tyre ne, gjërat në këtë vend nuk kanë shkuar edhe aq mirë, kryesisht për meritë & faj të tyre.
Në shtator 2017 mund të kemi në podiumin drejtues të Kuvendit Gramozin dhe përballë tij në sallë Saliun, Fadilin, Tritanin, Anastasin e të tjerët, – përsëri duke u grindur, duke denigruar njeri-tjetrin, duke folur e folur në parlament e TV; duke na thënë se janë aty dhe po bëjnë gjithçka për hir të Shqipërisë, shtetit, demokracisë, brezave të ardhshëm, se duan të na anëtarësojnë në BE dhe se duan të kemi shtet e demokraci funksionale..!! Dhe jashtë sallës së kuvendit, ka me mijëra militantë fanatikë të palëve që u besojnë dhe i ndjekin! Ata patën premtuar se do të krijojnë shoqërinë, por krijuan turmat dhe në turma, ata janë të aftë, me forcë, para, pushtet, pakte e pazare, – të dalin fitues periodikisht.
Në shtator do kemi aty edhe këto vajzat e reja duke tentuar të përfaqësojnë prurjet e reja, brezat e rinj, stadin e ri, pritshmëritë e reja! A do të munden? Nuk kam asnjë dilemë se jo. Për shumë arsye, disa që varen nga podiumi, disa nga sistemi e disa nga vetë legjitimiteti e vizioni i tyre politik. Brezi ynë i ri politik. në tërësi, rrallë ka vizion, identitet dhe personalitet, – ata vijojnë si imitime në politikë dhe shërbejnë në funksion të shefave që i kanë emëruar, i imitojnë ata dhe me kalimin e kohës, u ngjasojnë atyre!
Ky parlament mbyll ciklin, ku të lindurit pas 1991 bashkohen në sallë me ata që ishin në krye më 1991. Mjafton ky kontrast i thellë për të kuptuar se të gjithë ne jemi rritur në vite e në moshë, kemi më shumë thinja e më shumë kujtime, por në thelb, pak gjëra kanë ndryshuar nga pritshmëritë utope dhe idealiste të brezit të vitit 1990-1992. Iku Byroja, por byroistët mbetën; iku partia-shtet, por partitë-shtet mbetën, ikën të paprekshmit, por të paprekshmit e rinj të paprekshëm mbetën; iku rinia, por udhëheqësit e vjetër modele imitimi nga te rinjtë mbetën…
/ Instituti i Studimeve Politike