Mjaftuan 13 minuta për të transformuar parlamentin e Britanisë së Madhe të mbushur me shimpanze në veprën rekord të artistit britanik Banksy.
“Sot bëmë histori”, komentoi spikeri i ankandit.
Në një reagim në Twiter vetë autori shprehu keqardhjen, që piktura nuk i përkiste më atij.
Piktura ku shfaqen shimpanze të ulur në poltronat e gjelbërta në vend të deputetëve britanikë, u kërkua nga 10 koleksionistë në një ankand i cili përfundoi me vlerën e 11.1 milion eurosh. Shtëpia e ankandeve Sotheby, dhe pse mbajti anonim emrin e blerësit konfirmoi shitjen e veprës së Banksy-t, identiteti i të cilit gjithashtu nuk dihet për publikun.
Shitja e kësaj pikture vjen pas disa javësh të tensionuara në Mbretërinë e Bashkuar, ku kryeministri urdhëroi fillimisht mbylljen e punimeve në parlament. Por vendimi i Johnson u anulua nga Gjykata e lartë, në një kohë që vendi prêt daljen nga Bashkimi Europian në 31 tetor.
Piktura ka përmasa pothuajse gjigande, katër metër e gjysëm e gjerë dhe dy metra e gjysëm e lartë dhe së fundmi është pagëzuar me emrin “Parlamenti i pazhvilluar” duke vënë theksin në regresin e politikës në vend. E realizuar dhjetë vjet më parë, muzeu Bristol e ekspozoi për të shënuar ditën e Brexit.