Fondacioni shqiptaro-amerikan për Zhvillim do të marrë në menaxhim për 10 vitet e ardhshme Parkun Kombëtar të Butrintit.
Ligji është miratuar këtë të hënë në Parlament me 75 vota pro, 18 kundër dhe një votë abstenim.
Miratimi erdhi pas debateve dhe replikave të vazhdueshme mes maxhorancës dhe opozitës.
Marrëveshja e nënshkruar nga Ministria e Kulturës me Fondacionin për Menaxhimin e Butrintit parashikon dorëzimin te ky fondacion menaxhimin dhe të drejtat zhvillimore, përfshirë këtu edhe ndërtimet jo vetëm brenda zonës arkeologjike, por edhe në një perimetër të gjerë përreth saj.
Sipas marrëveshjes, Fondacioni për Menaxhimin do të ndërtojë qendrën e re të vizitorëve, që ndodhet rreth një kilometër larg zonës arkeologjike, ku është hyrja aktuale. Marrëveshja përcakton gjithashtu se fondacioni ka në dorë menaxhimin e të gjitha objekteve kulturore në të Butrintit dhe mund t’i transferojë ato jashtë me lejen e Ministrisë së Kulturës.
Ndërkohë, Fondacioni do të aplikojë për leje zhvillimore, leje ndërtimi, leje mjedisi, leje peizashi kulturor, leje për ndërhyrje në pasuritë kulturore të paluajtshme dhe të luajtshme, licencë për qarkullimin e përkohshëm të pasurive të luajtshme kulturore, licencë importi të pasurive kulturore dhe çdo leje, apo licencë, ose miratim tjetër të nevojshëm. Sipas marrëveshjes, nëse fondacionit i refuzohet ndonjë leje, licencë apo autorizim atij i lind e drejta që të tërhiqet nga ky pakt.