Parlamenti ka miratuar projektligjet e parashikuar për ditën e sotme mes një seance të mbushur me tensione, teksa deputetët e opozitës kishin bllokuar foltoren.
Me kërkesë të mazhorancës, Parlamenti kaloi direkt në votimin e pr/ligjeve duke anashkaluar diskutimet në seancë. Pas votimeve, seanca plenare mbylli punimet për këtë javë.
Seanca parlamentare e së enjtes nisi me debate, teksa deputetët e opozitës bllokuan foltoren. Ata kërkonin mocion me debat me Kryeministrin për çështjen “McGonigal”, por kjo kërkesë u rrëzua.
Një tjetër kërkesë e tyre ishte edhe që procesverbali i seancës së javës së kaluar të mos miratohet.
Por mazhoranca vazhdoi me pikat e rendit të ditës, ku pika e 1 ishte interpelanca që deputeti demokrat Gazment Bardhi kishte kërkuar me Kryeministrin Rama për “McGonigal”. Për këtë interpelancë, Rama nuk ishte i pranishëm dhe kishte deleguar ministren Elisa Spiropali. Por deputeti Bardhi nuk e pranoi interpelancën në mungesë të Kryeministrit dhe interpelanca nuk u zhvillua.