Politika “Parlamenti nuk është për boks, mundje apo hedhje gjyleje”, Rama zbulon qasjen...

“Parlamenti nuk është për boks, mundje apo hedhje gjyleje”, Rama zbulon qasjen ndaj opozitës: Do votojmë dhe do largohemi

Në konferencën për mediat pas mbledhjes dy ditore të socialistëve në Shëngjin, kryeministri Edi Rama u pyet mbi kërkesën e opozitës drejtuar Presidentit Bajram Begaj për kthimin në Kuvend të ligjit për ngritjen e komisioneve hetimore.

Rama rrëzoi kategorikisht mundësinë për të bashkëpunuar me opozitën në lidhje me këtë ligj, për të cilin tha se tanimë është plotësuar sipas modelit bazë, atij gjerman.

“Jo nuk është. Ligji është bërë bazuar mbi modelin bazë, nga i cili u ndërtua ai ligj qysh në fillesë. Për arsye që janë të panjohura për mua, modelit bazë, atij gjerman i janë hequr komponentë shumë të rëndësishëm për integritetin e një procesi hetimor parlamentar. Këto kompetentë janë futur aty dhe ne nuk negociojmë dot modelin gjerman me një grup shqiptarësh që kanë humbur modelin si shqiptarë dhe qytetarë dhe janë në kërkim të modelit të tyre”, tha shefi i qeverisë.

Më tej kryeministri tregoi sesi do të përballet mazhoranca me opozitën që ka zgjedhur të aplikojë forma të mosbindjes civile në Parlament, në nisje të sesionit të ri.

Duke ironizuar skenat e përplasjes së dhunshme të deputetëve demokratë me oficerët e Gardës, hedhjen e sendeve në drejtim të socialistëve apo ndezjen e flakadanëve, Rama tha se Parlamenti është tempull i demokracisë dhe jo stadium për sporte fizike të kategorisë së mundjes apo hedhjes së gjyles.

“Qasja ndaj parlamenti është qasja e përcaktuar qysh kurse grekët e lashtë ndërtuan skenën e parë të shkëmbimit të opinioneve dhe hapën siparin e historisë së demokracisë. Në atë skenë nuk përfshiheshin mundja, boksi dhe aktivitetet me natyre fizike përveç qëndrimit në këmbë apo qëndrimit ulur. Grekët ishin atletë dhe kishin sportet në qendër të vëmendjes, por kishin pista atletik dhe stadiume për aktivitete fizike dhe kishin skenën e debatit demokratik për aktivitetin mendor. Kështu që nuk më rezulton që gjatë historisë së tij parlamentarizmi të ketë pasur ndonjë ndryshim në këtë aspekt. Nuk ka kaluar në faza ku është pranuar bashkëjetesa e sporteve fizike me ushtrimin e të drejtës së fjalës dhe garantimin e së drejtës së tjetrit për të folur dhe ai. Ne në parlament do të qasemi siç qasen të gjithë ata që gëzojnë demokracinë. Për t’u ulur, për t’u ngritur të flasim kur marrin fjalën dhe për të dëgjuar kur të tjerët marrin fjalën”, deklaroi Rama.

Më tej Rama bëri me dije se socialistët do të vijojnë me taktikën e voto dhe largohu, të përdorur gjatë fundit të 2023, për sa kohë siç tha ai opozita nuk ka argumente për t’u përballur me ta, por predikon akte force.

“Sa kohë përballë do kemi shëmbëlltyra të keqkuptimit të madh midis sportit fizik, të natyrës boks, mundje, hedhje disku, hedhje gjyleje apo ndezje flakadanësh për lojërat e ardhshme olimpike, ne do të votojmë dhe do të largohemi. Sepse ne do të bëjmë punën tonë, duke shprehur keqardhje sa herë të na jepet mundësia për qytetarët që i kanë votuar ata që janë aty për të na luftuar ne me argumente, që s’kanë mundësi të dëgjojnë argumente. Lufta fizike aty bëhet për një problem që e dimë të gjithë. Është një problem njerëzor, por nuk është problem i kësaj shoqërie, i këtij populli, i këtij vendi. Problemi me drejtësinë i një individi që ka kaluar nga Parlamenti në ballkon dhe pret nga Parlamenti përplasje”, u shpreh Rama.