Kryesore Parlamenti rrëzon rezolutën e Berishës për Srebrenicën, Balla: Furnizove me naftë ushtrinë...

Parlamenti rrëzon rezolutën e Berishës për Srebrenicën, Balla: Furnizove me naftë ushtrinë serbe

Parlamenti i Shqipërisë nuk ka votuar rezolutën e ish-kryeministrit Sali Berisha për të dënuar gjenocidin serb në Srebrenicë në vitin 1995.

Në fjalën e tij, Berisha tha komuniteti ndërkombëtar mban qëndrim të gabuar ndaj Aleksandër Vuçiç, i cili sipas ish-kryeministrit, është frymëzues ndaj gjenocidit serb.

Ndërsa, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla theksoi se e dënojnë gjenocidin serb në Srebrenicë, por nuk do të votojnë rezolutën që mban firmën e Sali Berishës.

Taulant Balla akuzoi direkt Berishën se ka thyer embargon e naftës në vitin 1995 duke furnizuar ushtrinë serbe në masakrën e Srebrenicës.

Sali Berisha: Kjo seancë shënon një moment të rëndësishëm në jetën e këtij parlamenti, po absolutisht kaq të rëndësishëm për popullin. Nisma e deputetëve të PD për të dënuar genocidin serb në Bosje është një nismë që synon nderimin e 8 mijë viktimave të Srebrenicës. Në tërësi burra dhe djem të besimit mysliman, të vendosur në një zonë të mbrojtur nga OKB, ka synim të shprehë nderimin për viktimat e kësaj barbarie më të madhe pas Luftës së 2 Botërore në Evropë. Ka synim të shprehë solidaritetin me boshnjakë, viktima të kësaj barbarie. Ka synim të dënojë një akt të pashembullt që nga përfundmi i luftës së Dytë Botërore deri më sot. Burra, djem u grumbulluan në një kamp të mbrojtur nga OKB, aty u zhvillua kasaphana më e madhe. Ata që shpëtuan nga kampi, u ndoqën pyjeve të Bosnjës dhe u ezekutuan pothuajse të gjithë. Është një akt i domosdoshëm për kombet dhe shoqëritë. Ata që nuk njohin genoicidin, ata kanë ndërgjegje parahistorike. Njohja e genocidit është një kusht themelor që të mos përsëritet më.

Ne kemi një detyrim për të dënuar këtë genocid që është sanksionuar nga dy gjykata më të mëdha të kohës. Ky është genocid universalisht i faktuar dhe i pranuar nga mbarë vendet e qytetëruara. Dua të ju garantoj se në rast se Ballkani sot ndodhet në këtë situatë, nëse nuk ecën drejt BE, një nga shkaqet më madhore është qëndrimi i gabuar i komunitetit ndërkombëtar ndaj Aleksandër Vuçiç, i cili është frymëzues ndaj genocidit serb. Ky njeri është një Putin i vogël, i gatshëm t’i përsërisë ata në çdo kohë.

A mundet ne që të mos jemi bashkarisht në dënimin e këtij genocidi?! Çfarë mesazhi u çojmë ne sot shqiptarëve anë e mbanë botës kur parlamenti i tyre nuk voton në unanimitet një rezolutë që dënon barbarinë më të madhe ndaj një kombi siç janë boshnjakët?! Unë ju ftoj deputetë të votojmë këtë rezolutë si një detyrim madhor të një kombi të qytetëruar, për të detyruar Serbinë të njohë krimet e saj ta bazojë tek paqja.

Taulant Balla: “Më 11 Korrik të kemi një seancë të Kuvendit për të përkujtuar këtë masakër dhe të mbajmë edhe 1 minutë heshtje në përkujtim të kësaj masakre. Me këtë përfaqësuesin e  botës së përtejme thjesht dhe vetëm kjo që sapo dëgjuat dhe shumë fjalime të tjera duken si turpërime dhe në fakt është e pakuptueshme që një njeri që është i vetmi në këtë sallë, edhe ndoshta pak me Tritan Shehun që kanë përgjegjësi direkte të turpit që ka marrë Shqipëria asokohe. Erdhe si cjapi te kasapi sot. Gjenocidi serb në Srebrenicë nga ushtria jugosllave është ushqyer me naftën prej teje Sali.

Në 25 Prill 1995, gazeta New York Times publikon një raport të z/Presidentit amerikan ku thuhet se Shqipëria po furnizohen me naftë kontrabandë ushtrinë serbe në Bosnje. Është ajo gazeta letër higjienike që ti quaje. Në bazë të këtij raporti SHBA arrijnë në përfundim se Shqipëria po thyen embargon. Ja thashë dje Tritan Shehut. Mund të biem dakord të bëjmë rezolutë për këtë çështje, por jo rezolutë që vjen me firmën tënde. Do i ftoja kolegët, merrni dhe lexoni librin e ish-Presidentit të Malit të Zi sepse të gjitha marrëveshjet për furnizimin e ushtrisë serbe jugosllave me naftë i ka bërë me të i cili në fakt nuk ka hezituar dhe ka shkruar në libër.

Ndjen ndonjë keqardhje që ti ke thyer embargon e Kombeve të Bashkuara me marrëveshje?  Ku e gjen ti, se ke vënë firmën i pari, nuk ke keqardhje? Kanë vdekur 8 mijë njerëz atje. Dhe ti ke përgjegjësinë direkte, ke furnizuar makinerinë e luftës me naftë. Ti s’duhet të jesh fare në këtë sallë njëherë, ti je kot fare, dhe ti duhet të mbash përgjegjësi për këtë. Kjo është një vepër penale që nuk parashkruhet, kjo e shkeljes së embargos. Nuk mund të përdoremi si Kuvend nga një përfaqësues i botës së përtejme që i ka mbyllur hesapet, vetëm me drejtësinë nuk i ka mbyllur. Thyerja e embargos së Kombeve të Bashkuara duhet të rihapet”.