Pedagogu dhe aktivisti Rezart Prifti, i ftuar në studion e Ditari në A2, zbuloi se lëvizja “Alternativa” shumë shpejt mund të kthehet në një parti të re politike.
“Alternativa”, sipas tij, është një lëvizje e mendësisë ndryshe dhe e gjeneratës së re, që ka 4 pika bazë: “edukim cilësor, ulje të barrës fiskale, kompensim të pronës dhe kulturë”.
“Alternativa është një bashkim njerëzish profesionistë që në këtë jetë ia kanë dalë vetë, kanë punuar vetë dhe nuk kanë futur miq nëpër shkolla. Është bashkim profesionistësh dhe meritokracie. Shqipëria ka njerëz të tillë plot, nga Kukësi në Sarandë”, deklaroi Prifti.
“Ka shumë interesim për lëvizjen e re, nuk e prisja kaq shumë. Ne po ndajmë idetë tona, zgjidhjet tona, vlerat tona dhe nëse pranohemi nga shoqëria, vetë ajo të detyron të bësh formacion politik. Kështu funksionon në demokraci. Kjo gjë mund të ndodhë që në janar”, tha Prifti.