Politika Parti të re? Basha nuk e përjashton: Rekurs vendimit të Apelit, Berisha...

Parti të re? Basha nuk e përjashton: Rekurs vendimit të Apelit, Berisha nuk është zgjidhja

Lufta për vulën dhe logon e Partisë Demokratike, do të vijojë. Lulzim Basha, pas mbledhjes me strukturat ka vendosur që t’i bëjë rekurs vendimit të Gjykatës së Apelit, që ia dorëzoi partinë Sali Berishës.

“Rekursi bëhet sepse është bindja e thellë dhe profesionale dhe juridike e përfaqësuesve tanë se vendimi është i padrejtë dhe i pabazuar, do të presim zbardhjen e vendimit dhe do të bëjmë rekurs. Në çdo rast shqiptarët do kenë alternativën e tyre dhe ne do të jemi në zgjedhje”, deklaroi ai.

Basha nuk e përjashton as mundësinë e krijimit të një partie të re.

“Të gjitha opsionet janë në tavolinë, shpresa jonë që alternativa jonë të garojë me logon e PD, nëse kjo na pamundësohet, sigurisht çdo opsion i Kodit Zgjedhor, ne do jemi në zgjedhje. Ne besojmë dhe do të kërkojmë që PD të kthehet aty ku duhet të jetë dhe vendi i PD të Shqipërisë është në vlerat që ka lindur, nuk mundet PD të jetë kundër SPAK, aleatëve, ndaj beteja jonë e parë përmes rekursi do jetë që PD t’u kthehet idealëve dhe demokratëve”, ka deklaruar Basha për gazetarët.

Një mesazh e ka pasur edhe për Sali Berishën, që thotë se nuk është zgjidhja për të rrëzuar Edi Ramën nga pushtetit. Përkundrazi, ai e ka konsideruar ish-kryeministrin, si asetin kryesor të Ramës për të fituar edhe në 2025.

“Berisha nuk është zgjidhja për të larguar Ramën, por është aset i Ramës”, përfundoi Basha.