Nuk kanë munguar batutat në Theth këtë të diel, teksa kryeministri Edi Rama shpërndante tituj pronësie në fshatin turistik.
I pari që mori tapinë e pronës ishte prifti i kishës së fshatit, i cili përfitoi nga rasti për t’i dhënë një mesazh rinisë shqiptare, duke bërë thirrje që të mos largohet.
“Rini, me shkollimin tuaj, me punën tuaj, e ardhmja e juaj është këtu”, tha prifti. Duke mbështetur thirrjen e priftit, kryeministri shtoi se pavarësisht se largimi i të rinjve është një realitet në vendin tonë, ka edhe shumë të tjerë që nuk e kanë zgjedhur këtë rrugë. “Jemi nja 250 vetë këtu, por më i vjetri këtu jam unë”, tha Rama.
Më pas i erdhi radha për të marrë certifikatën e pronësisë Mirash Kometës, një banor i zonës të cilin Rama e identifikoi si demokrat. “Mos është i PD-së ky, se këta rrinë gjithmonë në fund dhe bërtasin “Rama ik!”. O Mirash, unë nuk ika, ti erdhe. Sa më shumë ju thoni ik, aq më shumë vij unë. S’ta dha partia, ta dha qeveria. Kështu që partinë mbaje në zemër, qeverinë mbaje në mendje. Me partinë shko fli gjumë, me qeverinë dil në punë”, i tha Rama.