Uncategorized Partizani fiton derbin me përmbysje

Partizani fiton derbin me përmbysje

Derbi i parafundit i kampionatit shkon për Partizanin. Kampionët në fuqi kanë fituar 2-1 ndaj Tiranës në ‘Air Albania’, duke dalë nga kriza që po kalonin prej katër javësh. Orges Shehi ka fituar derbin e parë si trajner i Partizanit dhe me siguri në kampin bardheblu humbja ka qenë dyfish e dhimbshme.

Të tre golat e këtij derbi u shënuan në pjesën e parë. E para shënoi Tirana me Latifin, vetëm pas 7 minutash. Por situata u përmbys që në 45 minutat e parë. Një pakujdesi e portierit Abdullahu bëri që Skuka të fitonte një penallti, që e ktheu në gol po vetë. Pak minuta më pas Tedi Cara realizoi golin e dytë dhe të fitores për Partizanin, pas një depërtimi në zonë.

Rreth 13 mijë tifozë që kishin mbushur shkallët e stadiumit patën fatin të shikonin një ndeshje të hapur, me sulme nga të dy krahët dhe me raste për shënim.

Tirana mbeti në lojë deri në fund, por pa mundur ta gjente golin e barazimit. Partizani në anën tjetër administroi mirë avantazhin, duke bërë freskimin e skuadrës nga stoli. Në dy-tre raste skuadra e Shehit mund ta kishte mbyllur ndeshjen me golin e tretë, por në asnjë rast nuk pati shënjestër.

Partizani shkon në kuotën e 40 pikëve, duke iu shkëputur Vllaznisë që luan të shtunën me Egnatian. Më shumë se për renditjen, fitorja në derbi mund të shërbejë dhe si një pikë kthese për të kuqtë, siç ndodh zakonisht pas një suksesi të tillë ndaj rivalit të përjetshëm.

Tirana mbetet në kuotën e 34 pikëve dhe ndjen rrezikun e daljes nga 4-shja e parë, pasi Dinamo është shumë pranë.