Sport Partizani i jep “dhuratën” e parë Lerdës, nënshkruan me një brazilian

Partizani i jep “dhuratën” e parë Lerdës, nënshkruan me një brazilian

Afrimi i parë në këtë sezon merkatoje për Partizanin është një brazilian. Bëhet fjalë për Wiliam Cordeiro Melo, i cili sezonin që sapo u mbyll ishte pjesë e Kukësit dhe tani do të jetë dhurata e parë për trajnerin italian Franco Lerda, i cili u prezantua sot në stolin e të kuqve.

William erdhi në Shqipëri verën e kaluar, për t’iu bashkua Kukësit dhe ishte një titullar i padiskutueshëm te verilindorët, duke luajtur në të dy krahët, si në mbrojtje edhe në mesfushë.

25-vjeçari luajti plot 33 ndeshje me Kukësin dhe arriti të shënojë edhe 5 gola, ndërsa dha disa asiste, duke bindur kampionët e sapo shpallur, t’i ofrojnë një kontratë një vjeçare, me opsion rinovimi edhe për një tjetër vit.

Ndërkohë, burime për Supersport saktësojnë se drejtuesit e “të kuqve” po negociojnë edhe me shkodranin Esin Hakaj, i cili ka qenë edhe më herët pjesë e Partizanit, ndërsa vetëm para pak ditësh i përfundoi kontrata me Teutën dhe është lojtar i lirë.