Java e Superiores mbyllet me triumfin e Partizanit, një 4-1 në “Elbasan Arena” ndaj Kukësit që projekton “demat” në vendin e dytë të klasifikimit me 19 pikë, pas Vllaznisë kryesuese.
Një ndeshje plot emocione, me verilindorët që për herë të parë në historinë e tyre në Superiore pësojnë 4 gola, por në një përballje ku rezultati i penalizoi së tepërmi, për lojën e shprehur.
Pikërisht kuksianët e fillojnë më mirë ndeshjen, me disa raste të shpërdoruara nga sulmuesi Eze, por sfida zhbllokohet në minutën 38 nga Asani, pas një kombinimi të bukur me Bardhin.
“Demat” do të dyfishonin në minutën e 48 me Bitrin me kokë, dhe më pas e kanë më të lehtë ndaj një ekipi të demoralizuar dhe shënojnë sërish me Bardhin (69), dhe Malën (79) me penallti, ndërkohë që Ibrahimi në minutat finale shënon golin e nderit për Kukësin, sërish me 11-metërsh.
Skënder Gega jep dorëheqjen
Humbja historike e Kukësit ditën e sotme, ku verilindorët për herë të parë në Superiore pësuan 4 gola në disfatën ndaj Partizanit, i kushtoi vendin trajnerit Skënder Gega.
“Futboll Klub Kukësi njofton se për shkak të rezultateve të fundit, trajneri Skënder Gega ka vendosur të japë dorëheqjen. Pas ndeshjes, trajneri i ka komunikuar klubit vendimin për dorëheqje dhe ky vendim është pranuar dhe është vënë në dijeni presidenti i nderit Safet Gjici. Pas ndeshjes, trajneri ka takuar skuadrën dhe stafin teknik për t’u përshëndetur. Klubi e falënderon Gegën për kontributin e dhënë dhe i uron shumë suksese në të ardhmen.
Trajneri Gega ka shpjeguar arsyet e largimit nëpërmjet këtij mesazhi: “Prej disa muajsh kam qenë në krye të pankinës së Kukësit. Edhe pse kam pasur mbështetjen, besimin dhe respektin nga të gjithë në situatën që ekipi po kalon në ndeshjet e fundit, marr përgjegjësitë dhe vendimin që të mos vazhdoj më në pozicionin e trajnerit. I kërkova klubit dhe presidentit Gjici të më mirëkuptojë për vendimin tim aspak të lehtë.
JU LUTEM NUK KA VEND PËR ALUDIME! Jam ndjerw tepër i vlerësuar dhe i respektuar nga presidenti Gjici, nga i gjithë klubi, stafi, futbollistët dhe mbështetsit e Kukësit.
Për mua ishte kënaqësi dhe eksperiencë shumë e mirë, pavarësisht vështirësive të fillimit. Jam i sigurt që Kukesi do të shkojë atje ku e meriton, sepse është një grup shumë i mirë lojtarësh dhe ka mbështetje të madhe nga të gjithë tifozët e mrekullueshëm. Ju falënderoj të gjithëve për respektin dhe mbështetjen tuaj.
Ju uroj të gjithëve shëndet dhe suksese.
Me respekt, S. Gega!”, ishte deklarata e klubit.
Teuta dhe Tirana marrin një pikë
Ndërkohë, Teuta dhe Tirana ndajnë nga një pikë në një sfidë plot shi por jo me shumë emocione në “Niko Dovana”, që mbyllet me rezultatin 1-1.
Kryeqytetasit e fillojnë shkëlqyeshëm me një gol të Grent Halilit në minutën e dytë, por presioni i durrsakëve për barazim ka qenë i vazhdueshëm.
Barazimi i merituar vjen në minutën e 70-të nga sulmuesi Kapllani, që sapo kishte hyrë në një fushë tejet të rënduar nga reshjet. Pak minuta më vonë durrsakët, që ndodhen në vendin e tretë me 17 pikë si Kukësi, kërkuan edhe një penallti.