Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu zhvilloi një vizitë në Poliklinikën e Specialiteteve nr.3 nga ku lajmëroi nisjen e planit të hapjes së vizitave në kujdesin parësor dhe të specializuar.
“Hapja e sistemit shëndetësor do të jetë me faza. Duke filluar nga kjo javë e në vazhdim do të hapen fashat orare të vizitave në qendra shëndetësore dhe poliklinika, në parametra dhe protokolle sigurie për respektimin e distancimit fizik, për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe personelit shëndetësor nga përhapja e COVID-19”, u shpreh Manastirliu.
Më tej, ministrja shtoi se pas datës 11 maj, Komiteti i Ekspertëve do të vendosë më tej për fazat e hapjes së sistemit shëndetësor.
“Pasi të vlerësohet kjo periudhë dyjavore se si do të shkojë epidemia, Komiteti Teknik i Ekspertëve do të vlerësojë për fazat e mëtejshme të hapjes së sistemit shëndetësor. Për ne ka rëndësi mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe stafeve mjekësore”, tha ministrja.
Ministrja Manastirliu tha se do të vijojnë vizitat dhe konsultat online edhe gjatë kësaj periudhe.