Britney Spears është më në fund e lirë. Babai i saj Jamie heq dorë nga kontrolli i pronave dhe karrierës së të bijës, si kujdestar i saj prej 13 vitesh. Jamie mori nën kontroll jetën e Britney-t pas shqetësimeve për shëndetin e saj mendor në vitin 2008, duke kërkuar titullin “kujdestar ligjor” mbi pasurinë dhe aspekte të tjera të jetës së këngëtares. Prej vitesh, Britney kërkonte nga i ati që të hiqte dorë nga ky titull, ku ai mund të vendoste gjithçka për pasurinë 60 milionë dollarë të 39-vjeçares, grumbulluar ndër vite falë koncerteve dhe albumeve të saj.
Avokati i Britney Spears e cilësoi vendimin e gjykatës një fitore të madhe, pasi në padi i ati akuzohej për abuzim me pasurinë. Jamie Spears i ka mohuar vazhdimisht akuzat për keqbërje dhe ndër vite kishte shprehur shqetësim për mirëqenien e të bijës. Historia mes të atit dhe të bijës dhe beteja e gjatë ligjore u rikthyen në vëmendje pas publikimit këtë vit të dokumentarit “Framing Britney Spears”, që përqendrohej në konfliktin mbi kujdestarinë e këngëtares.
Britney Spears nuk ka performuar në skenë që prej vitit 2018 dhe për këtë, këngëtarja fajëson të atin, që nuk e lejonte të këndonte përsëri, sikurse mbante nën kontroll edhe jetën personale të 39- vjeçares, ku mes disa rregullave, i ndalonte asaj edhe të bënte fëmijë të tjerë. Pas vendimit të gjykatës, kujdestar ligjor i aktiviteteve të Britney Spears është përcaktuar menaxheri i saj Jodi Montgomery.