Pas 3 orësh, përfundon marrja në pyetje e Jorgo Goros në SPAK: Dhashë shpjegime
Pas tre orëve, ka përfunduar marrja në pyetje e Jorgo Goros nga prokurorët në SPAK.
Në përfundim, ai ka dhënë një prononcim të shkurtër, duke thënë se “ka dhënë shpjegime”, por pa u ndalur në shumë detaje.
“Isha në SPAK si çdo qytetar për të dhënë shpjegime. Nuk mund të flas se për çfarë”, tha ai.
Goro u paraqit në ambientet e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion rreth orën 10:00, pas denoncimit të bërë nga Fredi Beleri mbi konstatimet e KLSH-së për abuzim me tenderat.
Veç Jorgo Goros, Beleri paditi edhe ish-ministren për Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, bashkëshortin e saj, Artan Gaçi dhe trashëgimtarët e një prone nën dyshimet se kanë bashkëpunuar për të falsifikuar dokumentet e tjetërsimit të një toke bujqësorë me sipërfaqe 5500 metër katrorë, duke e kthyer në truall.
Në padi, Beleri thotë se nëpërmjet një Akti të Marrjes së Tokës në Pronësi, kanë rrjedhur përfitime të padrejta pasurore për trashëgimtarin e tokës dhe personave të tretë për shkak se kjo pasuri është tjetërsuar në favor të të tretëve dhe mbi këtë, pasi është blerë, është marrë statusi i investitorit strategjik nga Artan Gaçi, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe bashkëshorti i ish-ministres se Mbrojtjes dhe ish-Ministres së Punëve të Jashtme.
Beleri e akuzon Jorgo Goron se ka falsifikuar dokumentet, ka shpërdoruar detyrën, akuzë kjo e fundit që e ka ngritur edhe për ish-ministren Xhaçka. Për bashkëshortin e kësaj të fundit, së bashku me trashëgimtarin e tokës, Beleri krahas falsifikimit të dokumenteve, i akuzon edhe për veprën penale të pastrimit të parave.