Që prej 8 majit, një hapësirë e posaçme i është kushtuar viktimave të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara, ku të afërm të tyre dërgojnë një histori të shkurtër për personat që kanë humbur betejën me Covid-19.
Mes tyre është edhe një grua 72-vjeçare shqiptare, emigrante në Nju Jork, historinë e së cilës e ka rrëfyer në CNN e bija e saj.
Nagjija Gjidija dhe bashkëshorti u larguan nga Ballkani në vitet 1970 dhe emigruan në Shtetet e Bashkuara, ku vajza e tyre, Liria, thotë se ata “mishëruan ëndrrën amerikane”.
Çifti Gjidija pati 4 fëmijë, ndërsa nëntorin e vitit të kaluar shënuan edhe 55-vjetorin e martesës. Më 1 prill 2020 fatkeqësisht Nagjija humbi jetën nga një arrest kardiak pasi ishte diagnostikuar me koronavirus.
“Ne ishim drita e jetës së saj, siç ishte ajo drita e jetëve tona. Por ajo nuk donte askënd tjetër më shumë se tim atë”, tregon Liria. “Nuk kalonin kurrë asnjë ditë larg njëri-tjetrit”.