Pas Britanisë dhe Francës, edhe Kina planifikon të ndalojë prodhimin dhe shitjen e automjeteve me naftë. Zv.ministri kinez i Industrisë njoftoi se Kina, tregu më i madh i automobilëve në botë, ka nisur kërkimet përkatëse, por ende nuk ka vendosur se kur do të hyjë në fuqi ndalimi.
“Masat që do të ndërmarrim do të sjellin ndryshime drastike në zhvillimin e industrisë sonë të automjeteve”, tha Xin Guobin për agjencinë shtetërore të lajmeve “Xinhua”. Kina ka prodhuar 28 milionë automjete vitin e kaluar, rreth një të tretën e totalit në rang global.
Si Britania, edhe Franca kanë njoftuar tashmë planet për ndalimin e makinave me naftë deri në vitin 2040, si pjesë e përpjekjeve të tyre për të reduktuar ndotjen dhe emetimet e karbonit.
Prodhuesi kinez i makinave, “Volvo” njoftoi në korrik se të gjitha modelet e reja të automjeteve do të kenë motor elektrik nga viti 2019.
Geely, pronari kinez i “Volvo”-s, synon që të shesë një milion makina elektrike deri në vitin 2025.
Edhe firma të tjera globale të prodhimit të makinave, si “Renault-Nissan”, “Ford” apo “General Motors” janë duke punuar që të gjitha në zhvillimin e makinave elektrike në Kinë.
Prodhuesit e mëdhenj janë duke nxitur rritjen e tregut kinez, përpara se të shpallin rregullat e reja që synojnë të luftojnë ndotjen. Kina kërkon që makinat e reja me bateri elektrike dhe ato hibride të përbëjnë të paktën një të pestën e shitjeve deri në vitin 2025.
Propozimet pritet t’u kërkojnë prodhuesve që 8% të shitjeve të tyre të jenë makina elektrike ose hibride duke nisur nga viti i ardhshëm, me një rritje prej 12% në vitin 2020. Xin parashikoi që ndryshimi do të sjellë “kohë të turbullta” në këtë industri. Por kjo kthesë pritet të ketë efekte edhe në kërkesën për naftë në Kinë. Vendi është aktualisht konsumatori i dytë më i madh i naftës në botë, pas Shteteve të Bashkuara.