Pas dorëheqjes së Lulzim Bashës si kryetar i PD, Grupi Parlamentar i kësaj partie kërkon nga deputetët e Foltores të ofrojnë të njëjtin mekanizëm për tërheqjen e Sali Berishës.
Ishte kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ai që drejtoi mbledhjen e grupit pas dorëheqjes së Lulzim Bashës.
Ai lexoi një draft-deklaratë për qëndrimin e grupit të PD-së për situatën e krijuar, ku në të theksohej se për të bërë të mundur bashkimin e demokratëve, duhet të tërhiqet edhe Sali Berisha.
Grupi parlamentar i PD ngarkon strukturat përgjegjëse për të pranuar një grup të PPE për të lehtësuar ndërmjetësimin mes tyre dhe Foltores.
Draft-deklarata:
1- Grupi parlamentar i PD vlerëson aktin e dorëheqjes së kryetarit të PD në funksion të zgjidhjes së problematikës që ka shkaktuar një përçarje të thellë nga qendra në bazë.
2- Grupi parlamentar i bën thirrje anëtarëve të pezulluar të grupit të PD që të ofrojnë të njëjtin mekanizëm për tërheqjen e zotit Berisha, që duhet të distancohet nga vendimmarrja në PD, duke u bërë pjesë e zgjidhjes për të shmangur përçarjen dhe për të bërë të mundur bashkimin e demokratëve. Kërkojmë respektimin e vlerave dhe parimeve statutore të PD për shmangien e pasojave të deklaruara publikisht nga SHBA.
3- Grupi parlamentar shpreh gatishmërinë për të negociuar me anëtarët e pezulluar të grupit parlamentar për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për t’i hapur rrugë bashkimit. Grupi ngarkon strukturat përgjegjëse për të pranuar një grup për të lehtësuar ndërmjetësimin.
4- Grupi vlerëson se pas dakordësisë hapet rruga për:
A-Ndërmarrjen e një fushate ndërgjegjësuese në bazë për bashkim.
B-Përgatitjen e partisë për zgjedhjet lokale.
C-Përgatitjen e kushteve të nevojshme për zgjedhje menjëherë pas zgjedhjeve lokale.