Pak orë pasi paralajmëroi Mbretërinë e Bashkuar se do të mbrojë kufijtë e saj “me të gjitha mjetet”, pas incidentit në Detin e Zi, Rusia ka nisur një stërvitje të madhe në Detin Mesdhe.
Daily Mail shkruan se, në stërvitje po marrin pjesë avionë luftarakë të aftë për të lëshuar raketa hipersonike dhe disa anije luftarake, ndërsa sërish në atë hapësirë detare gjenden anije britanike.
Të premten, zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergey Ryabkov, paralajmëroi për përshkallëzim të situatës në qoftë se episode të tilla si ai i Detit të Zi do të përsëriten.
“Unë paralajmëroj të gjithë nga shkelja e kufirit të Federatës Ruse, duke ndërmarrë provokim e të tilla nën petkun e qarkullimit të lirë, sepse siguria për ne vjen e para. Paprekshmëria e kufijve tanë është prioritet absolut, diçka që do të mbrojmë me diplomacinë, por edhe ushtarakisht, po të jetë nevoja. Në qoftë se kolegët e mi nuk e kuptojnë, mund të bombardojmë edhe vetë anijet, dhe jo vetëm të qëllojmë në drejtim të tyre”, ishin fjalët e ashpra të Ryabkov.
Zyrtarisht, Marina britanike ka mohuar se është qëlluar mbi anije në Detin e Zi, ose në drejtim të saj, duke pohuar se rusët thjesht po tregonin muskujt në një stërvitje ushtarake, pa “guxuar” të sfidonin anijen Defender, por dëshmi gjithmonë më të shumta, të botuara edhe nga mediat angleze, kanë pohuar se për të paktën 1 orë në ujërat tashmë të ngrohta të Krimesë u përjetuan momente të denja për Luftën e Ftohtë.