Dy javë pasi Gjykata e Fierit vendosi që ta lirojë me kusht, pas 16 muajve qëndrim pas hekurave si i dënuar për shitblerje votash, Fredi Beleri ka udhëtuar drejt Strasburgut për të mbajtur fjalimin e parë si eurodeputet në Parlamentin Europian.
“Me emocion të madh po i drejtohem, për herë të parë seancës së Parlamentit Evropian. Një institucion, vendosmëria e të cilit u provua me aftësinë për të më liruar nga qelia në Shqipëri, ku qëndrova për 16 muaj”, tha Beleri.
Shtatë orë më parë Beleri iu drejtua ligjvënësve të unionit si eurodeputet i zgjedhur nën logon e partisë së kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, duke vendosur në themel të fjalimit të tij integrimin e Shqipërisë.
Ai shprehu rezerva për mënyrën sesi kryeministri Edi Rama po qeveris vendin dhe e akuzoi se kontrollon drejtësinë e re, të cilën e ka detyruar të burgosë me vendime arbitrare liderin e PD, Sali Berisha, dhe zyrtarë të tjerë opozitarë.
“Sot, jam këtu si një eurodeputet i një grupi minoritar grek që vjen nga një shtet anëtar i BE, por ka lindur në një vend që aspiron të bashkohet me familjen evropiane. Fatkeqësisht, megjithatë, ky vend vazhdimisht po largohet nga Evropa në vend që t’i afrohet. Situata aktuale në Shqipëri tregon se reformat mund të kthehen lehtësisht në “bomba totalitarizmi” mbi themelet e një shteti demokratik. Kjo ndodhi edhe me reformën gjyqësore të financuar nga burimet evropiane. Qeveria shqiptare ka vendosur drejtësinë në duart e saj, gjë që nuk e bëri vetëm në rastin tim, por edhe të liderit dhe zyrtarëve të tjerë opozitar”, deklaroi Beleri.
Në vijim, ish-kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës kërkoi nga Bashkimi Europian që të ndalë mbështetjen për shefin e qeverisë shqiptare.
“Dhe Bashkimi ynë tani po përballet me një oksimoron. Sa më shumë mbështetja për udhëheqjen e zotit Rama të konsiderohet e mirëqenë, aq më intensive do të jetë rritja e ndjenjës antievropiane tek qytetarët e vendit. Në Ballkanin Perëndimor, respektimi i trashëgimisë evropiane duhet të jetë mënyra e vetme për të përfshirë shtetet kandidate. Çdo tërheqje do të nënkuptonte automatikisht mposhtjen e vlerave tona të përbashkëta”, u shpreh Beleri.