Presidenti francez Emmanuel Macron ka mirëpritur sot në Paris, Kancelarin e ri gjerman, Olaf Scholz për një takim pune inaugurues ku dy liderët më të fuqishëm të BE-së do të nisin punimet për të gjetur gjuhën e përbashkët që do t’i lejojë ata të zgjidhin krizat brenda për brenda unionit dhe më tej.
E para në listën e diskutimeve sipas zyrtarëve francezë do të jetë tema e tensioneve në Ukrainë, e cila sipas zyrtarëve amerikanë mund të përballet me një pushtim rus në fillim të vitit tjetër.
Një tjetër pikë me rëndësi do të jetë edhe çështja e prioriteteve të Macron për presidencën 6-muajore të Francës në krye të Bashkimit Europian, e cila nis më 1 janar.
Macron kishte ndërtuar një raport miqësor me paraardhësen e Scholz, Angela Merkel, e cila ‘theu’ traditën gjermane duke treguar mbështetje të paprecedentë për përpjekjet e përbashkëta, gjë që rriti borxhin kombëtar gjatë pandemisë.
Por të dy këta lider nuk kanë rënë dakord për disa çështje kryesore siç janë realiteti gjerman i importit të gazit rus – të cilët vazhdimisht i kundërshtojnë planet për të pushtuar Ukrainën – si dhe mënyrat se si Europa duhet të mbrohet nga konkurrentët e tyre kryesorë, përfshi Kinën.
Diplomatët francezë janë treguar optimistë rreth marrëdhënieve të tyre me Gjermaninë gjatë qeverisjes së Scholz, duke cituar etiketimin e përdorur prej tij – ‘sovranitetin strategjik’ – i cili duket sikur mund të jetë në të njëjtën linjë mendimi me thirrjet e Macron për ‘autonomi strategjike’ në Europë.
Një tjetër çështje me rëndësi është financimi i një tranzicioni të mundshëm tek energjia e gjelbër si dhe fakti nëse energjia nukleare dhe gazi natyral do të arrijnë të konsiderohen burime energjie te rinovueshme nga Bashkimi Europian.
Macron kërkon të ndërtojë një reaktor nuklear të ri në Francë, ndërkohë që Gjermania prej kohësh po kërkon t’i nxjerrë nga përdorimi. Sidoqoftë, marrëveshja e koalicionit të ri gjerman nuk e përmend këtë problematikë, gjë që sipas Parisit zyrtar, e lë rrugën e hapur për kompromise.