Ashtu si 16 për qind e amerikanëve, Jeran Campanella ishte i bindur, kundër të gjitha provave shkencore, se Toka është e sheshtë.
U desh një udhëtim prej 35 mijë dollarësh në Antarktidë për t’i tronditur bindjet e tij, të cilat ai i kishte mbrojtur me zell për dhjetë vjet në kanalin e tij në YouTube “Jeranism” me 164 mijë subscribers.
“Dielli po bën pikërisht atë që thanë këta djem, sa i përket rrethimit të kontinentit jugor”, pranon ai në një video live në YouTube, të filmuar të shtunën e 14 dhjetorit, përpara një baze shkencore në Antarktidë.
Jeran Campanella, i cili shkoi atje si pjesë e një projekti të quajtur “Eksperimenti Përfundimtar”, duke bashkuar mbështetësit e “Tokës së sheshtë” dhe Tokës së rrumbullakët, synonte të verifikonte nëse dielli ishte i pranishëm në qiell 24 orë në ditë.
Sipas teorisë së Tokës së sheshtë, kjo e fundit do të ishte një disk i kufizuar nga “muri” i Antarktidës.
Sipër, një kupe qiellore, e ngjashme me një glob bore, do të përfshinte Diellin, Hënën dhe yjet.
Ylli diellor do të bënte një revolucion në 24 orë, gjë që shpjegon lojën e hijeve, duke krijuar ditën dhe natën.
Ky besim u sfidua nga një vëzhgim i bërë nga konspiracionisti amerikan: dielli shkëlqen vazhdimisht në Polin e Jugut.
Pse? Për shkak se Toka është sferike, dielli mbetet i dukshëm në qiell edhe në mesnatë në këtë territor, gjatë verës jugore (dhjetor-janar). Një fenomen që zakonisht quhet “dielli i mesnatës”.
“Epo djema, ndonjëherë edhe gabojmë në jetë”, thotë Jeran Campanella në videon e tij. “Isha shumë i sigurt se nuk kishte diell 24 orë në ditë”, justifikohet ai, i vetëdijshëm se rrezikon të “quhet sharlatan”.
Në vitin 2018, Jeran Campanella u shfaq tashmë në një dokumentar shumë të suksesshëm amerikan, “Behind the Curve”.
Regjisori u nis për të takuar komunitetin e teoricienëve e “tokës së sheshtë”, i bindur se ekziston një komplot global për t’i bërë njerëzit të besojnë se Toka është e rrumbullakët. Gjashtë vjet më vonë, Jeran Campanella ka ndryshuar anë mesa duket.