Policia e Shtetit raportoi se në 48 orët e fundit janë hequr 20 leje drejtimi në aksin Kardhiq-Delvinë, të përuruar vetëm para pak ditësh, për shkak të lëvizjes me deri në 30 km/h mbi shpejtësinë e lejuar.
Në këtë aks, Policia thotë se shpejtësia e lejuar është pjesërisht 80 km/h dhe në pjesë të tjera 60 km/h. “95 masa administrative për qarkullim me shpejtësi, por pa sanksionin e pezullimit të lejes së drejtimit; 67 masa administrative, për parakalime të gabuara; 54 masa, për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit dhe 50 masa, për mospërdorim të rripit të sigurimit”, thotë Policia.
“Njësia Operacionale e Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Policinë Rrugore të Gjirokastrës dhe Delvinës, vijojnë monitorimin 24/7 me makinat inteligjente, radarët automatikë dhe dronët “edukues”. Gjatë monitorimit të pandërprerë, makinat inteligjente, dronët dhe radarët automatikë, në aksin e ri Kardhiq – Delvinë, kanë konstatuar qindra shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor që janë rrezik potencial për përfshirje në aksidente rrugore”.