Aktualitet Pas skandalit të pagave, del edhe lista me targat e makinave të...

Pas skandalit të pagave, del edhe lista me targat e makinave të shqiptarëve

Një tjetër listë me të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë është në qarkullim.

Pas listës së pagërrjedhjes së janarit dhe asaj të prillit, targat e makinave të qytetarëve shqiptarë janë publikuar.

Të mërkurën u bë publike lista e parë e pagave, ku shfaqeshin pagat e punonjësve shqiptarë për muajin janar 2021. Dje u publikua një listë e dytë pagash, e muajit prill 2021.

Sot dolën hapur dhe targat e makinave.

Kryeministri Edi Rama bëri thirrje që Prokuroria të nisë hetimet dhe përjashtoi mundësinë e një sulmi kibernetik.

Skandali i daljes së të dhënave personale të pagave vjen pak muaj pas rrjedhjes së të dhënave personale të qytetarëve në prag të zgjedhjeve të 25 prillit, në të ashtuquajturin skandali i patronazhistëve.

Ditën e djeshme, Prokuroria e Tiranës regjistroi procedimin penal për “shpërdorim detyre” dhe “ndërhyrje në sistemet kompjuterike”, në lidhje me çështjen e pagave.

Prokuroria ka dërguar grupin hetimor për të kryer veprime në tre institucione, në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, në Institutin e Sigurimeve Shoqërore dhe në Drejtorinë të Përgjithshme të Tatimeve.

Paraditen e së mërkurës Prokuroria e Tiranës nisi verifikimin e rastit. Burime pranë kësaj prokurorie konfirmuan se një grup qytetarësh paraqitën një kallëzim ku kërkonin hetimin e publikimit të të dhënave të tyre personale.