Autoritetet europiane të zbatimit të ligjit duket se i kanë vënë në shënjestër shërbimet e mesazheve të enkriptuara që përdorin kriminelët për të komunikuar për veprimet e tyre. Një hetim i përbashkët mes francezëve dhe holandezëve zbërthyen një tjetër shërbim mesazhesh të enkriptuar dhe të sofistikuar të quajtur MATRIX.
Për tre muaj me radhë, autoritetet ishin në gjendje të monitoronin mesazhet nga kriminelë të mundshëm, mesazhe të cila tashmë do të përdoren për t’i ndihmuar në hetime të tjera.
Gjatë një operacioni të mbështetur nga Eurojust dhe Europol, shërbimi i mesazheve u hoq nga autoritetet holandeze dhe franceze dhe veprimet e tyre u ekzekutuan edhe nga homologët italianë, lituanezë e spanjollë.
Siç thotë Europol, MATRIX ishte një shërbim mesazhesh i krijuar nga kriminelët për kriminelët. Për herë të parë u zbulua në celularin e një të dënuari për vrasjen e një gazetari në vitin 2021 nga autoritetet holandeze. Nga ai momenti nisi një hetim mbi platformën.
Shumë shpejt për autoritetet ishte e qartë se teknikisht, kjo platformë ishte shumë më komplekse se Sky ECC apo EncroChat, të zbërthyera më herët nga autoritetet.
Krijuesit ishin të bindur se shërbimi ishte superior dhe më i sigurtë se aplikacionet e tjera të përdorura nga kriminelët. Përdoruesit ishin në gjendje të merrnin shërbimin vetëm nëse merrnin një ftesë. Infrastruktura e MATRIX përbëhej nga më shumë se 40 servera në disa shtete të ndryshme.
Serverat më të rëndësishëm u gjetën në Francë dhe Gjermani.
“Duke përdorur teknologji inovative, autoritetet ishin në gjendje të interceptonin shërbimin e mesazheve dhe të monitoronin aktivitetin për tre muaj”, njoftoi Europol.
Aty u zbuluan më shumë se 2.3 milionë mesazhe në 33 gjuhë të ndryshme të cilat u deshifruan gjatë hetimit. Këto mesazhe lidhen me krime të rënda si trafiku ndërkombëtar i narkotikëve, trafiku i armëve dhe pastrimi i parave.
Për këtë arsye u arrestuan disa persona në katër vende të Europës. Në Francë u arrestua një person, ndërsa në Spanjë dy të tjerë, një prej tyre më kërkesë të Holandës. Gjashtë shtëpi u kontrolluan në Holandë, po aq edhe në Lituani dhe një në Francë.
“Serverat kryesore në Francë dhe Gjermani u mbyllën”, njoftoi Europol.
Po ashtu nuk mungoi edhe një mesazh i fundit i autoriteteve për kriminelët.
“Më 3 Dhjetor 2024 platforma e enkriptuar e komunikimeve e njohur si MATRIX u mbyll nga forcat ndërkombëtare të zbatimit të ligjit. Kjo nuk është hera e parë e nuk do të jetë as e fundit që ne lexojmë mesazhet në kohë reale. Kemi marrë akses në të dhëna që lidhen me këtë shërbim dhe hetimi ynë nuk përfundon këtu”, thuhej në këtë mesazh që shoqërohet edhe nga një shkrim tjetër me shkronja të mëdha: Është e pashmangshme.
Tashmë, siç thotë Europol, nëpërmjet kërkesave ligjore, autoritetet do të jenë në gjendje që të kenë qasje në mesazhe për hetimet e tyre.