Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Brendshme kanë rënë dakord për hartimin e një plani “të detajuar” masash për shmangien e grabitjeve të mjeteve bankare që transportojnë vlerë monetare.
Marrëveshja është arritur gjatë një takimi të zhvilluar pasditen e kësaj të premteje mes guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, një ditë pas grabitjes në rrugën që të çon drejt Rinasit.
“Po përgatisim një plan masash të detajuar për të përforcuar të gjithë elementët e sigurisë, në mënyrë që në të ardhmen të mos kemi më ngjarje të tilla. Drejtorët e bankave janë të gatshëm për t’i marrë masat dhe në ditët e ardhshme ne do ta përfundojmë këtë plan, në fokus të të cilit do të jetë transporti i vlerës monetare”, ka deklaruar Sejko.
Guvernatori ka nënvizuar se, grabitja nuk ka cënuar gjendjen financiare të bankave, të cilat sipas tij janë të shëndetshme.
Në të njëjtat linja, ministri Tahiri ka theksuar se plani i ri i masave do të përbëjë një garanci për biznesin dhe sidomos bankat.
“Jemi dakordësuar për disa masa që do ta bëjnë shumë më të sigurt biznesin, aktivitetin financiar të bankave dhe veçanërisht transportin e vlerave nga bankat”, ka thënë Tahiri.
Ministri ka bërë me dije se, Policia e Shtetit ka nisur një inspektim të të gjitha shoqërive private të sigurisë dhe po implementon edhe në atë sektor një plan masash, që kanë të bëjnë me trajtimin e burimeve njerëzore për punonjësit e tyre dhe mjetet që policitë private përdorin.
“Shumë shpejt unë do të firmos një urdhër që do të adresojë shumë mirë problemin e transportit të vlerave monetare. Do ngremë edhe një grup teknik që do të trajtojë të gjitha problemet e mbledhura deri më sot dhe që do të dalë në përfundime konkrete”, ka thënë Tahiri.
Nga ana tjetër ministri deklaroi se çdo makinë që shoqëron vlera të tilla tani do të shikohet mundësia që do të shoqërohet dhe nga Policia e Shteti dhe jo vetëm nga ajo private.
“Brenda një afati të shkurtër këto masa do të jenë prezente në çdo bankë dhe polici private që merren me transportin e vlerave, do të shoqërohet dhe nga Policia e Shtetit” tha Tahiri.