Pas një terapie me ujë bore, Presidenti Ilir Meta thotë se i lindi një pyetje për të gjithë ata që pretendojnë se janë të pavarur nga qeveria.
Në postimin në rrjetet sociale, kreu i shtetit shkruan se përse nuk pranohet zgjidhja e krizës politike e ofruar nga një institucion që ekziston, pra nga Presidenca, por kërkohet nga një institucion që aktualisht nuk funksionon, siç është Gjykata Kushtetuese.
Sipas Presidentit, ngërçi politik në vend dhe mos zgjidhja e kësaj krize do të ndikojë negativisht në çeljen e negociatave për anëtarësim në BE më 13 Tetor.
“Mirëmëngjes të dashur miq! Pas një terapie me ujë bore, më lindi një pyetje që dua ta ndaj me ju, dhe që u drejtohet atyre të cilët bëjnë si të paanshëm, pasi kanë shkëlqyer me njëanshmërinë e tyre, duke ia kaluar dhe Kryeministrit tonë, i cili në fund të fundit përfaqëson një anë politike: Pse nuk keni sy për të parë apo veshë për të dëgjuar zgjidhjen e krizës që ka dhënë një institucion që ekziston, por ia kërkoni zgjidhjen një institucioni që nuk ekziston, falë edhe paanësisë tuaj tepër të vonuar? Kaq të domosdoshëm e keni dështimin e çeljes së negociatave për vendin tonë në 18 tetor? Ju uroj një fundjavë të mbarë“, shkruan Presidenti Ilir Meta.
Dy ditë më parë, Ilir Meta deklaroi se i qëndron propozimit të parë për të mbajtur në muajin Tetor tre palë zgjedhje, përfshirë edhe ato presidenciale.
Në lidhje me këtë të fundit, kreu i shtetit u shpreh i gatshëm që t’i lirojë karrigen Rexhep Mejdanit.