Në kuadër të operacionit policor të koduar “Destinacioni” është parandaluar një ngjarje e rëndë kriminale. Gjatë këtij operacioni në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Shënkollit” të Lezhës, shërbimet e Policisë ndaluan për kontroll taksinë ku udhëtonte si pasagjer 48-vjeçari, Arben Z.
Nga kontrolli fizik i tij, Policia i gjeti 1 pistoletë me fishekë, 2 mina me telekomandë, dhe municion luftarak. Në përfundim të veprimeve procedurale u bë arrestimi i 48-vjeçarit, banues në Pogradec, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna intensive për zbardhjen e plotë të qëllimit të udhëtimit të 48-vjeçarit i armatosur me armë zjarri dhe mina, si dhe për identifikimin e kapjen e shtetasit/ve që do të bashkëpunonte në Lezhë, për të kryer ngjarje kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.