Aktualitet Pasaporta amerikane më e fuqishmja në botë në 2022, ja ku renditet...

Pasaporta amerikane më e fuqishmja në botë në 2022, ja ku renditet Shqipëria

Pasaporta amerikane është renditur si më e fuqishmja në botë për vitin 2022.

Global Citizen Solutions, një kompani konsulence mbi investimet për emigracionin bazuar në të dhënat ka publikuar Indeksin Global të Pasaportave, duke përdorur një sistem të fuqishëm vlerësimi sasior për disa kritere dhe kategori. Indeksi ka përfshirë jo vetëm faktin se në sa vende ke akses falë pasaportës që posedon, por edhe mundësitë e investimeve dhe treguesit e cilësisë së jetesës në secilin shtet.

Vendi i parë

Me një total prej 96.4 pikësh, Shtetet e Bashkuara kanë përformuara më mirë në mundësinë e investimeve të reja, cilësinë e jetës dhe lëvizshmërinë e udhëtimeve.

Në studimin e përgjithshëm janë përfshirë tre indekse:

Indeksi i Investimeve (me një rëndësi 25%)

Shtetet e Bashkuara renditen në vendin e 4-t. Me të ardhura kombëtare bruto (GNI) prej 66,080 dollarësh dhe tatimin personal prej 37%, SHBA-ja është një opsion “më i favorshëm” për investitorët.

Indeksi i Lëvizshmërisë (50%) SHBA renditet në vendin e 10-të.

Një pasaportë amerikane ofron akses pa viza ose viza pas mbërritjes në 172 vende ose territore.

Indeksi i Cilësisë së Jetës (25%) Shtetet e Bashkuara në vendin e 23-të.

SHBA renditet lart në shumë aspekte që lidhen me cilësinë e përgjithshme të jetës, duke përfshirë zhvillimin e qëndrueshëm, lirinë, performancën mjedisore, pranimin e emigrantëve dhe lumturinë.

“Shtetet e Bashkuara u ofrojnë investitorëve një treg të zhvilluar dhe të larmishëm ekonomik, si dhe akses në tregun më të avancuar dhe fitimprurës të konsumit në botë,” tha Patricia Casaburi, Dr. Menaxhuese e Global Citizen Solutions.

Në të kaluarën, renditja e pasaportave është fokusuar në numrin e vendeve në të cilat një pasaportë i jep akses poseduesit; megjithatë, faktorë të tjerë të rinj, si p.sh. perspektiva e hapjes së një biznesi në një vend tjetër, kanë sjellë një interes në rritje për përfitimet e marrjes së një pasaporte të dytë.

“Kjo është një nga arsyet kryesore pse SHBA u rendit e katërta në Indeksin e Investimeve është sepse vendi ofron shumë zgjidhje tërheqëse për viza për emigrantët që kërkojnë të investojnë në Amerikë, si programi EB5 Visa, për sipërmarrësit e huaj dhe programi E2 Visa (i mundëson një individi qëndrim në SHBA në bazë të një investimi që do të bëhet brenda territorit të SHBA-ve),” vazhdoi Casaburi.

Renditja e Shqipërisë

Shqipëria renditet në vendin e 89, nga 197 vende të marra në studim.

Nëse i marrim indekset e ndara në veçanti, sa i përket atij të lëvizshmërisë, poseduesit e pasaportës shqiptare kanë akses në 122 vende, duke e renditur Shqipërinë në vendin e 93. E vlerësuar me 61.54 pikë.

Me të ardhura kombëtare bruto (GNI) prej 14.450 dollarë dhe me një tatim personal prej 23 për qind, Shqipëria renditet në vendit e 110 në Indeksin e Investimeve, me 43.1 pikë. Më shumë mundësi në dinamizmin e biznesit dhe më pak në aftësitë inovative.

Ndërsa në Indeksin e Cilësisë së Jetës, Shqipëria renditet në vendin e 52, e vlerësuar me 68.2 pikë, për indikatorë të tillë, si zhvillimi i qëndrueshëm, liria, kostoja e jetesës, lumturia, pranimi i emigrantëve, etj.

Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria lë pas vetëm Kosovën në Indeksin Global të Pasaportave.

10 pasaportat kryesore të renditura në Indeksin Global të Pasaportave janë:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Gjermania

Kanadaja

Holanda

Danimarka

Suedia

Mbretëria e Bashkuar

Finlanda

Norvegjia

Zelanda e Re.

/Monitor