Katër shqiptarë kanë rënë në prangat e policisë britanike ditën e sotme. “Wales Online” raporton se Ledian Xhafa (35 vjeç), Renato Shyti (23 vjeç), Lorenc Çobo (37 vjeç) dhe Elton Musta (29 vjeç) akuzohen për prodhim dhe trafikim të lëndës narkotike me vlerë mbi 14 mijë paund si dhe falsifikim pasaportash.
Të arrestuarit po përdornin një shtëpi në zonën e Neath ku rrisnin bimët e kanabisit dhe më pas i shpërndanin. Oficerët gjetën gjithashtu një numër telefonash celularë, dhe megjithëse mesazhet me tekst në to ishin në gjuhën shqipe, fotografitë, selfiet dhe videot e gjetura do jenë nën hetim.
Njëri nga telefonat përmbante edhe imazhe të faturave dhe kostove për blerjen e pajisjeve që lidhen me rritjen e kanabisit që shkonte në disa mijëra paund, megjithatë nuk dihet se çfarë ka ndodhur me ato artikuj.
Në momentin që forcat policore kanë trokitur në derën e tyre ata kanë tentuar arratisjen nga shtëpia. Teksa oficerët po hynin nga dera e përparme, një burrë u pa duke dalë nga dritarja e pasme e katit të parë e më pas të vraponte në pjesën e kopshtit. Ledian Xhafa u kap pak minuta më vonë në fund të rrugës.
Prokurori tha se policia sekuestroi nga shtëpia qese të mëdha me kanabis me vlerë 14,250 £, 530 paund cash, pesë telefona celularë dhe një numër pasaportash në emra të shtetasve shqiptarë.
Sipas mediave britanike, Musta dhe Xhafa drejtonin biznesin kriminal, ndërsa pritet që gjykata të japë vendimin për të rinjtë shqiptarë të cilët janë futur ilegalisht në Britani të Madhe.