Disa orë pas atentatit ndaj Altin Halilit, policia e Beratit mori në pyetje vëllain e Sokol Kaloshit dhe dy nipërit e tij. Policia ka kryer edhe kontrolle në banesat e personave në fjalë. Megjithatë, pas marrjes në pyetje, ata u lanë të lirë.
Pasditen e së hënës, Altin Halili po udhëtonte me makinë, kur ndaj tij u qëllua me breshëri plumbash. Ngjarja ndodhi në fshatin Dushnik të Beratit. 46-vjeçari nuk pësoi dëmtime, ndërsa dyshimet janë se ngjarja vjen si pasojë e hakmarrjes.
Kjo pasi Altin Halili ka qenë i dënuar për vrasjen e Sokol Kaloshit në Lushnje, në 1997-n, ngjarje për të cilën ai u dënua me 15 vjet heqje lirie. Pas daljes nga burgu në vitin 2010, 46-vjeçari ishte larguar drejt Italisë dhe kishte pak kohë që ishte rikthyer.
Edhe dyshimet e vetë Halilit duket se lidhen pikërisht me këtë ngjarje. Para policisë, ai mësohet të ketë hedhur dyshime se atentati i është bërë si hakmarrje për vrasjen e ndodhur në 97-n.
Para grupit hetimor Halili ka treguar po ashtu se po kalonte përpara një shkolle private në Berat kur ka parë 3 persona të maskuar që i bënë pritë. Në këtë moment i dha gaz makinës duke i shpëtuar të shtënave. Në drejtim të tij u qëllua të paktën 10 herë.
Menjëherë pas ngjarjes policia nisi punën për të identifikuar e kapur autorët. Gjatë kontrolleve, në fshatin Kozarë u gjet një makinë e djegur, e cila dyshohet se u përdor nga atentatorët.