Sot bëhen 30 vjet që nga rivendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vetë Ambasada Amerikane ka zgjedhur që të urojë këtë ditë me mesazhin e disa prej ambasadorëve. Dhe i pari ishte fjala e William Edwin Ryerson, i cili u bë ambasadori i parë i SHBA-së në Shqipëri, kur paraqiti letrat kredenciale në 21 Dhjetor 1991. Ryerson kujton momentet e para kur ka ardhur në Shqipëri, si dhe problematikat e para.
“Teksa kujtojmë 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike është mirë të kujtojmë veprimet e ndërmarra nga zyrtarët e të dyja vendeve tona të cilat e bënë atë të mundur. Ndërsa Shqipëria nisi të dilte nga makthi i saj kriminal i vetëimponuar stalinist, njerëz të guximshëm atje lëvizën për ta bërë atë rilidhje të mundur. Po ashtu, në Shtetet e Bashkuar, zyrtarë të mençur në DASH dhe vende të tjera të administratës vendosën që të lenë mënjanë dekada të tëra fyerjesh të drejtuara ndaj nesh dhe gjithashtu të shfrytëzonin hapësirën. Rol ka luajtur VOA në përcjelljen e informacionin e saktë”.
“Ekipi i parë i përfaqësuesve të SHBA mbërriti në Tiranë përpara zgjedhjeve të para pluraliste në Mars 1991. Unë mbërrita në fund të prillit, me qëllimin për të ndenjur një muaj apo dy muaj derisa stafi i përhershëm i ambasadës të zgjidhej dhe caktohej. Ditën e nesërme pas ardhjes sime shkova për një takim kortezie në Ministrinë e Jashtme kur atje më thanë se nuk do të lejohesha të ndiqja seancat plenare unë protestova. Kur kjo nuk pati efekt i thashë bashkëbiseduesit tim se qeveria ime protestonte. Sërish nuk pati efekt të menjëhershëm. Megjithatë mëngjesin e nesërm mora një telefonatë e cila më njoftonte se mund të merrja pjesë dhe se mund të merrja përkthyes”.
Po ashtu ish-ambasadori kujton një prej momenteve më emocionuese në Shqipëri gjatë vizitës së sekretarit Baker. Sipas Ryerson në asnjë moment nuk ka pasur dyshime se të dyja vendet ndanin të njëjtat shpresa për Shqipëri të lirë dhe të përparuar.
“Gjatë kohës sime u bëra dëshmitar i mikëpritjes së jashtëzakonshme që iu bë Sekretarit Baker kur mbërrit në Qershor të vitit 1991. Teksa sekretari po fliste unë po qëndroja siç duhej pranë makinave të autokolonës, pas një polici të gjatë dhe të vrazhdë. Ndërsa Baker tha ne jemi me ju dhe ju jeni me ne, pashë një lot të rrëshqiste në faqen atij polici. Shumë shqiptarë, rreth 10% e shqiptarëve ishin në shesh. Pati shumë ndryshime gjatë tri viteve të mia. Nuk pati kurrë asnjë dyshim se të dyja vendet tona ndanin të njëjtat shpresa për një Shqipëri të lirë dhe të përparuar në paqe me fqinjët e saj”.