Kryesore “Pashiqi shqiptar në sintoni me padronin Vuçiç”, Spiropali–Berishës: Zgjidhni njëherë hallet e...

“Pashiqi shqiptar në sintoni me padronin Vuçiç”, Spiropali–Berishës: Zgjidhni njëherë hallet e shtëpisë tuaj

Nga foltorja e Parlamentit, Sali Bersiha, deklaroi se kryefjala e seancës së sotme plenare duhet të ishte deklarata e kryeministrit Edi Rama për Kosovën, të cilin e quan “Pashiqi shqiptar”.

Berisha tha se nuk ka deklaratë më antishqiptare se ajo e bërë nga Rama ku i referohet citimit “Kosova e veriut nuk është toka e askujt”.

Sali Berisha: Sot, kryefjala e parlamentit duhet të jetë, deklarata superskandaloze e Pashiqit shqiptar, se Kosova e veriut është toka e askujt. Nuk ka deklaratë më antishqiptare, nuk ka deklaratë më të shpifur se kjo deklaratë. Por po ju pyes unë ju: secili prej jush që jeni këtu, dhe çdo shqiptar, po përse e derdhi gjakun Afrim Bunjaku? Ku u vra ai? U vra pikërisht në veri të Kosovës, në mënyrë që aty të sundojë rendi, ligji dhe rregulli. Ku u zhvillua një betejë mes grupeve terroriste të nisura direkt nga Aleksandër Vuçiçi, të kryesuara nga lejtnanti i tij Radoiçiç? Se sa ishte ‘no mans land’ e provuan falangat serbe. Shqiptarët, Europa dhe bota e panë se si ia mbathën me të katërta, se ajo është toka e zotërve të saj. A mundet një krim-ministër të bëjë një deklaratë të tillë në sintoni të plotë me padronin e tij, Aleksandër Vuçiç? Dhe tani kërkojnë të mbulohet kjo me deklarata të turpshme këtu përpara. Po Dostojevski thotë një fjalë: njeriu që kalon nga gënjeshtra në gënjeshtër, largohet nga homo-sapiens, nga specia e tij. Ndaj këtu debati duhet të fillojë me urgjencë për këtë deklaratë që nuk e bën jo vetëm Aleksandër Vuçiçi, por e bën edhe pengu i tij, e bën argati i tij, që quhet Edi Rama. A e dini çfarë tha Alistair Campbell, miku i tij, për këtë deklaratë: e ka hipnotizuar Vuçiçi!

Nga ana tjetër, ministrja Elisa Spiropali i është kundërpërgjigjur Berishës duke i thënë që duhet të merret me punët e shtëpisë, referuar PD-së dhe më pas të zgjidhë hallet e Kosovës.

Elisa Spiropali: Mund të themi tani se “memecit i erdhi goja”, zotit Lulzim i erdhi goja në Kuvend dhe i erdhi hidhur sepse nuk mundet që në këtë foltore nuk duhet te merret me kryeparlamentaren. Hallin e ka tek shtëpia e tij. Nuk ka heq dot fjalën ti mua doktor. Tentativa për të krijuar një narrativë me heronj dhe tradhtarë, më e rrezikshmja për Kosovën. E keni traditë të shëmtuar këtu dhe është e dëmshme që për interesa të partisë të vini Shqipërinë dhe Kosovën. Ka kush i del për zot Shqipërisë dhe Kosovës. Zgjidhni njëherë hallet e shtëpisë e pastaj merruni me hallet e Kosovës dhe Shqipërisë sepse kështu siç e keni katandisur diskursin tuaj, ju po doni ta eksportoni këtë gjuhë dhe këtë problem në Kosovë. Shqipëria i ka dalë përzot Koosvës dhe do t’i dalë sepse nuk ka aleate më të madhe se Kosova se Shqipëria. Ju zgjidhni hallet tuaja dhe pastaj hajdeni në këtë Kuvend për të zgjidhur hallet e Kosovës.