Këtë të diel në 2 maj besimtarët ortodoksë do të kremtojnë Festën e Pashkës.
Në mesazhin e tij Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos shprehet se e kremtja e Pashkës na fton plot hare të shkëlqejmë nga gëzimi, të çliruar nga robëria e pasioneve vdekjeprurëse, nga çdo element i errët, i fshehur në thellësinë e egos sonë.
“Urrejtja e infekton jetën e njerëzve në familje, jetën fetare dhe politike; ajo infekton marrëdhëniet midis kombeve dhe, për pasojë, prodhon konflikte të paparashikueshme. Edhe sot, në atmosferën e turbullt të krijuar nga pandemia, nëpër mjedise të ndryshme shfaqet shpesh një urrejtje e veçantë në shumë variante, që nga simptomat e thjeshta, si nervozizmi, antipatitë, agresiviteti e deri tek ato më seriozet, si polarizimet, dhuna dhe përçarjet”, thuhet në mesazhin e kryepeshkopit.