Besimtarët ortodoksë festojnë Pashkën, ndërsa nuk kanë munguar urimet nga klasa politike.
Presidenti, Bajram Begaj, ka uruar besimtarët ortodoksë, me mesazhin që kjo festë sjell rigjallërimin e jetës, gëzim e shpresë dhe shënon një nisje te re.
“Gëzuar Pashkën për të gjithë besimtarët ortodoksë! Kjo festë e shenjtë sjell rigjallërimin e jetës, gëzim e shpresë dhe shënon një nisje te re! Qoftë ajo e bekuar për të gjithë shqiptarët!”, uron Begaj në rrjetin e tij social Facebook.
Kryeministri, Edi Rama ka zgjedhur të urojë besimtarët ortodoksë përmes një fotoje nga kisha e Marmiroit në Vlorë. “Mirëmëngjes. Gëzuar Pashkët Ortodokse”, uron kryeministri Rama.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka uruar besimtarët ortodoksë për Festën e Pashkëve. “Festa e Pashkëve na ngjit në malin e lartë të humanizmit, përkushtimit, dashurisë”, thekson në mesazhin e urimit kryeparlamentarja.
“Ringjallja e Krishtit, një dritë e hareshme që treti errësirën, largoi pikëllimin dhe lajmëroi një fillim të ri. Festa e Pashkëve zgjon ëndrrat, ndihmon besimtarët, na ndihmon të gjithëve, për të kapërcyer vështirësitë, mundur lodhjen, korrigjuar dobësitë njerëzore, larguar pesimizmin, frikën, urrejtjen dhe përqafuar besimin, kurajon, mirësinë njerëzore. Festa e Pashkëve na ngjit në malin e lartë të humanizmit, përkushtimit, dashurisë. Gëzuar Pashkët, shëndet e mbarësi për të gjithë besimtarët ortodoksë”, uron Nikolla.
Edhe Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, uroi besimtarët ortodoksë për Pashkën e Madhe. Nëpërmjet një statusi në “Facebook”, Meta uron besimtarët për më shumë shëndet e gëzime në familjet e tyre.
Pashka është një nga kremtimet më të mëdha të ortodoksëve. Ata risjellin ne vëmendje ngjarjen e madhe të ngjalljes së Jezusit të Nazaretit, tre ditë pas vdekjes së tij në kryq. Festimet e Pashkës nisën me meshën e madhe të së shtunës mbrëma dhe përfundojnë me drekën tradicionale të së dielës.