Historia e prof. Dhimitër Kraja, i cili megjithëse mjek në pension u rikthye në spital për të ndihmuar kolegët e tij tek Spitali Infektiv në vijën e parë të luftës kundër koronavirusit, zuri vend në media si një gjest i veçantë krahas lajmeve të zymta të përhapjes së kësaj sëmundjeje dhe viktimave që ajo po shkaktonte.
Por po aq erdhi në vëmendje lajmi se prof. Kraja ishte prekur nga sëmundja e rrezikshme që po merrte mijëra jetë kudo në botë.
E tani, pasi arrti të mposhtë atë, prof. Kraja u rikthye sërish tek Infektivi për të ndihmuar mjekët e tjerë në këtë luftë.
Ishte ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu e cila përmes një statusi në Facebook të shoqëruar edhe me foto, e jep lajmin.
“Siç kishte premtuar, prof. Dhimitër Kraja u rikthye në spitalin që i ka dedikuar jetën, pasi fitoi betejën e tij me virusin e rrezikshëm #COVID19! Dr. Luli siç e thërrasin të gjithë, po i jep një dorë stafit të palodhur të #Infektivit, për të cilët mbetet burim i pareshtur frymëzimi”, shkruan ministrja.