Kryesore Pasi mori vulën, Berisha kërkon bashkimin e PD-së, mesazh deputetëve të Bashës:...

Pasi mori vulën, Berisha kërkon bashkimin e PD-së, mesazh deputetëve të Bashës: Kthehuni në shtëpi!

Pasi Gjykata e Apelit vendosi t’i kalonte vulën e Partisë Demokratike, Sali Berisha kërkon bashkimin e demokratëve.

Nga ballkoni i banesës së tij ku qëndron në arrest shtëpie prej dhjetorit, Berisha ka ripërsëritur thirrjen për bashkim, duke ia adresuar drejtpërdrejtë deputetëve që deri dje përfaqësoheshin, në atë që njihej si PD zyrtare, e drejtuar nga Lulzim Basha.

“Dje theksova dhe sot në emër tuaj dua të ritheksoj edhe njëherë se mesazhi i kësaj arritje është një dhe vetëm një. Është bashkimi, bashkimi dhe vetëm bashkimi. Miqtë e mi, është bashkimi dhe vetëm bashkimi sepse betejën vendimtare, fitoren vendimtare e kemi përpara për ta arritur. Dhe kjo kërkon kontributin e çdo demokrati dhe demokrateje. Ndaj dhe edhe njëherë u bëj thirrje të gjithë demokrateve dhe demokratëve që ndjejnë shpirtin e tyre të pastër, të cilët për një arsye apo për një tjetër, kanë mbajtur qëndrime të tjera, të bashkohen. Të bashkohen me ne! Të kthehen në shtëpinë e tyre. Bashkimi në diversitet është tipari që fitoi Partia Demokratike pas Rithemelimit. Asgjë nuk mund të ndajë demokratë e betuar për të qenë opozitë e vërtetë. Deputetëve të PD që akoma nuk janë në grupin tonë, thirrja më miqësore, vendi juaj është tek elektorati i PD”.

Në mesazhin e tij Berisha u kërkon këtyre ligjvënësve që të mos harrojnë “se me këtë logo, me këtë flamur”, kanë bërë të gjithë fushatën në vitin 2021, nga e cila iu besua përfaqësimi i demokratëve në Parlament.

Kryedemokrati bën po ashtu thirrje që çdo ndasi që ka shoqëruar odisenë 3 vjeçare të përplasjes mes vetë demokratëve të hidhet pas shpine dhe beteja e vetme të bëhet për të mposhtur Edi Ramën në zgjedhjet e 2025.

“Dhjetëra mijëra zgjedhës u votuan ju me këtë flamur, ndaj dhe jeni të mirëpritur. Jeni të mirëpritur në gjirin e grupit parlamentar të PD. Beteja e madhe është përpara. Të harrojmë dhe arkivojmë njëherë e mirë betejën njëri me tjetrin. T’i përvishemi Edi Ramës në emër të atyre qindra e mijëra shqiptarëve që vuajnë nën regjimin e tij. Përgëzoj të gjithë ata demokrate e demokratë, të cilët që sot kanë marrë dhe po marrin vendimet e duhura. I garantoj se beteja dhe fitorja do të jetë fati ynë!”