Historiani Paskal Milo i ftuar në “Provokacija” sqaron se si qëndron e vërteta e deklaratave të tij lidhur me origjinën e nënës së Skënderbeut që u vendos në qendër të diskutimit ditët e fundit.
Ai u shpreh se shoqëria ende është me një nivel të ulët kulturor, që vazhdojnë të mbeten “skllevër” të disa formulimeve të vjetra.
“Deformimi është sepse kanë shkëputur fraza nga një debat thuajse dy orësh për të krijuar atë përshtypje që donin. Mua më vjen keq përse ne shqiptarët akoma kemi një nivel të ulët kulturor, për të rënë viktimë e disa njerëzve që nuk dinë të bëjnë gjë tjetër, por vetëm shpifin.
Unë nuk i frekuentoj rrjetet sociale. Jam habitur, konstatova një manipulim kolosal, të qëllimshëm. Nuk e di për çfarë arsyeje. Nuk besoj se më adresohet mua personalisht, pavarësisht se lidhet me ermin tim, por nuk kam dhënë arsye që të kem kundërshtar të tillë, apo shpifës të tillë”, tha Milo.
Gjatë bisedës në studio ai theksoi se beson se është për llogari të tjera të karakterit gjeopolitik që sipas tij zbatohen në Shqipëri nga aktorë lokal të paguar.
“Përse shpifin se kam thënë se Skënderbeu ka origjinë serbe. As ju nuk e keni thënë, as unë nuk e kam thënë dhe as nuk më shkon ndërmend ta them. Ndaj sugjeroj të lexojnë çfarë kam shkruan në 2018. Njeriu duhet të lexojë më parë se të kritikojë.
Askush nuk ka thënë që Skënderbeu është serb. Por, që ka një tezë që është e mbështetur në dokumente dhe në libra të autorëve shqiptarë, që nga Barleti, Gjon Muzaka, që nëna e Skënderbeut kas qenë me orgjinë sllave, nuk është mëkat ta thuash. Është një e vërtetë.
Në mesjetë krushqitë midis mbretërive apo princave ishin gjëja më normale. Ka një dokument të vitit 1426 që Gjon Kastrioti së bashku me djemtë e tij i dhurojnë manastirit të Hilandarit dy fshatra, si pronë Manastirit. Është dokument i shkruar, por këta që na akuzojnë nuk i dinë këto gjëra dhe preferojnë të bien viktimë e shpifje sesa të pyesin”, u shpreh ai.